Drejtuesit e UÇK-së që po përballen në Hagë me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, teksa kanë hedhur poshtë akuzat kanë theksuar vazhdimisht se ata ishin çlirimtarë dhe se lufta e tyre u fitua bashkë me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në këto ditë nuk kanë munguar dhe akuzat për mosndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë, masakrat e kryera dhe qindra persona, trupat e të cilëve edhe sot nuk dihet se ku janë.
Luftimet në Kosovë përfunduan me hyrjen e trupave të NATO-s në qershorin e vitit 1999.
12 qershor të vitit 1999, dita kur NATO ka hyrë në Kosovë, konsiderohet një prej momenteve më të rëndësishme të këtij vendi.
Ndërhyrja e NATO-s paraqet kurorëzimin e aspiratave shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Masakra e Reçaktut më 15 janar 1999 ku u vranë 45 civilë shqiptarë nxiti shtetet e Perëndimit të gjejnë zgjidhje për Kosovën.
Pas dështimit të gjetjes së zgjidhjeve diplomatiko-politike më 24 mars, forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi.
Më 27 mars një valë e madhe të dëbuarve niset në kufijtë me Shqipërinë e Maqedoninë. Më 13 prill vlerësohet se numri i të deportuarve ka arritur në 750 mijë.
Më 16 prill, fotot e NATO-s dëshmojnë se në Izbicë janë së paku 150 vrarë.
Më 17 prill raportohet se forcat serbe i angazhojnë me dhunë shqiptarët të hapin varre për vendasit e tyre të vrarë, në 43 varreza të identifikuara masive.
Më 26 prill trefishohet numri i sulmeve të NATO-s.
Nga 24 marsi e deri në fund të luftës, serbët kryen krime të mëdha, ku më të tmerrshmet janë:
Masakra e Krushës së Madhe më 25 mars, me 105 civilë të vrarë;
Masakra e Suharekës më 26 mars, ku vriten 48 vetë, kryesisht të familjes Berisha;
Masakra e Izbicës më 28 mars, me 147 civilë të vrarë;
Masakra e Podujevës më 28 mars, ku u vranë 16 vetë – kryesisht gra e fëmijë;
Masakra e Mejës më 27-28 prill, me 372 civilë të vrarë;
Masakra e Qyshkut më 14 maj, me 41 të vrarë;
Masakra e Burgut të Dubravës më 22-24 maj me afro 100 të vrarë
Pas presionit ushtarak të forcave ushtarake te NATO-s më 4 qershor, liderët ushtarakë të NATO-s dhe ata serbë takohen për të realizuar marrëveshjen tekniko-ushtarake për zhvendosjen e trupave serbe nga Kosova.
Më 9 qershor nënshkruhet Marrëveshja e Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj bazave ushtarake serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar janë të zhvendosur.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës./konica.al
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...