NATO: Anëtarësimi i Kosovës në NATO kërkon konsensusin e 32 vendeve aleate

14:20 | 25 Tetor 2024
E.K

NATO thotë se në Kosovë vazhdojnë tensionet dhe se situata e sigurisë është e paqëndrueshme

NATO ka thënë se aktualisht në Kosovë vazhdojnë tensionet dhe situata e sigurisë është e paqëndrueshme. Ndërsa, ka theksuar se për anëtarësimin e Kosovës në NATO ose në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s kërkohet konsensus nga të 32 aleatët.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të gjatë të Kombeve të Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe në lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; duke vepruar si siguria e tretë në reagim, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e sundimit të ligjit të BE-së (EULEX), të cilat janë përkatësisht përgjegjëset e parë dhe të dytë për sigurinë. Aktualisht vazhdojnë tensionet dhe paqëndrueshmëria, veçanërisht në veriun e Kosovës, duke kërkuar një rritje të trupave të KFOR-it që nga maji 2023. Ne inkurajojmë institucionet në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në konsolidimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

NATO tutje ka thënë se vlerëson përshtypjen pozitive të popullit të Kosovës ndaj NATO-s. Megjithatë, sipas saj nuk ka pasur ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

“NATO ka një politikë të dyerve të hapura. Por, anëtarësimi në NATO ose në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s kërkon konsensus nga të 32 aleatët, dhe nuk ka pasur zhvillime në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e NATO-s për RTV21.

Ndërkohë, NATO thekson se ofron mbështetje për zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe të Ndërlidhjes së NATO-s (NALT). Kjo mbështetje përfshin ndërtimin e kapaciteteve, koordinimin e edukimit dhe trajnimit – përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës – në përputhje me mandatin fillestar të FSK-së për mbrojtjen civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme