Nisma e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, po shihet si hap i vonuar, por i domosdoshëm. Edhe pse e vonuar, kjo nismë po përkrahet nga veteranët e UÇK-së.
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, dyshon në sinqeritetin e deputetëve për krijimin e një tribunali të tillë.
Thotë se e përkrahin nismën por e quan “farsë” dhe iniciativë fallso.
Ai thotë se rezoluta që po pritet të votohet nuk garanton themelimin e Tribunalit, duke shtuar se nëse nuk bëhet ligj, do të mbetet vetëm rezolutë në letër.
“Uroj që këta mos të kenë nis vetëm një rezolutë sa për sy e faqe sepse rezolutat nuk janë obligative dhe nëse këta mendojnë rezolutë kjo është turp dhe faqja e zezë. Kjo është një farsë politike që e bëjnë të gjitha partitë bashkë, sepse duan të mbërrijnë të gjithë së bashku dhe ta tregojnë një unitet fallso, sepse në rezoluta që nuk kanë asnjë bazë ligjore atëherë është diçka si për ‘sy e faqe’”, tha Haradinaj, për Ekonomia Online.
Ndër të tjera Haradinaj u shpreh se deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale e kanë detyrim dhe shansin që të “përmirësojnë” gabimin e bërë.
“Shpresoj që këtë rezolutë deputetët më tepër, ta amandamentojnë me ligj ndërsa detyrim të veçantë kanë deputetët që e kanë votuar më përpara një rezolutë, për Gjykatën Speciale, që ka qenë e njëanshme dhe të them lirisht raciste, e cila ka qenë shumë selektive. Unë mendoj që këta kanë shansin ta amandamentojnë me ligj”, u shpreh Haradinaj.
Nënkryetari OVL të UÇK-së më tutje u shpreh se si organizatë e veterane asnjëherë nuk kanë qenë kundër zbulimit të të gjitha krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës, dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë në zbulimin e krimeve, por jo në mënyrë selektive.
“Ne organizata e veteranëve asnjëherë nuk kemi qenë kundër zbulimit të krimeve, përkundrazi ne jemi për zbardhje të të gjitha krimeve që kanë ndodhë gjatë luftë, pas luftë por edhe brenda këtij intervali kohor që e kanë caktuar. Dihet kush ka pas mundësi me krye krime e kush nuk ka pas. Ne jemi të gatshëm që nëse është nevoja të bëjmë komplet zbulimet, mirëpo jo në këtë mënyrë selektive dhe në një farë mënyre ta përmirësojmë një gabim të cilin deputetët e kanë bërë ndaj popullit dhe ndaj votuesve”, thotë ai.
Haradinaj thotë se Gjykata Speciale e ka dëmtuar shumë Kosovën dhe tanimë edhe institucionet e kanë kuptuar një gabim të tillë.
“Ne kemi pas iniciativë për zhbërjen e kësaj gjykate selektive dhe përfshirjen e një gjykate të përgjithshme, po më duket sikur këtyre ju kanë ardhur mentë, si thotë populli, ‘kur vijnë mentë, hupin dhentë’. Ne si organizatë jemi keqkuptuar shumë dhe janë munduar me na tjetërsua, ne nuk kemi qenë të nxitur për askënd, ne kemi kërkuar thjeshtë: E doni një gjykatë? Po. Të bëhet një gjykatë për të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë”, tha ai.
Nasim Haradinaj foli edhe për Rrahim Hashimin i arrestuar së fundi për fajde. Tha se është djalë i mirë dhe bashkëluftëtarë i denjë.
“Rrahim Hashimi është një bashkëluftëtar që e kemi pas në Koshare, një luftëtarë i mirë dhe i denjë. Ai është i vetmi që ka kërkuar dhe është lajmëruar drejt në organizatën e veteranëve dhe ka kërkuar prej nesh të paktën të prezantojmë që u kërkua, një djalë që i ka kryer pjesët tjera, urojmë që gjykata ta vërtetojë të vërtetën”, përfundoi ai.
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike