Naim Haziri vizitoi Komandën e Mbështetjes së Forcat të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

18:11 | 16 Korrik 2018
Arbresh.info

Bazuar në planin e bashkëpunimit dypalësh me Republikën e Shqipërisë dhe me ftesë nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) komandanti i brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO) gjeneral brigade Naim Haziri, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Brigadës së Mbështetjes Operacionale (SHSHBMO) nënkolonel Sami Hajrullahu, shefi i G3 i kësaj brigade, major Astrit Halilaj, zhvilluan një vizitë pune dyditore në  Komandën Mbështetëse të FARSH. Në këtë vizitë gjeneral Haziri shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Republikës së Kosovës i akredituar në Tiranë, kolonel Bashkim Shillova.

Gjeneral brigade Naim Haziri u prit nga komandanti i Komandës Mbështetëse  kolonel Gasper Lala dhe shefi i Shtabit i Komandës Mbështetëse kolonel Beqir Tafili. Në takim u fokusuan në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak midis Komandës Mbështetëse dhe Forcës  së Sigurisë të Kosovës, përkatësisht BMO-së, për trajnim dhe stërvitje në fushën e operacioneve për emergjencat civile, në rast të katastrofave natyrore si: zjarrfikje, kërkim- shpëtim e deri në ndërtim të urave.

Gjeneral Haziri po ashtu  u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-s gjeneral brigade Bardhyl Kollqaku i cili solli në vëmendje kontributin e FSK-së për Shtetin  Shqiptar sa herë që është kërkuar në rastet e katastrofave natyrore.

Gjeneral Haziri falënderoi gjeneral brigade Kollqaku si dhe komandantin e Komandës Mbështetëse dhe stafin e tij për pritjen e ngrohtë duke kërkuar që  bashkëpunimi midis Brigadës së Mbështetjes Operacionale të FSK-së dhe Komandës Mbështetëse të FARSH-it të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Gjeneral Haziri tha se “FSK-ja tani dhe në të ardhmen do jetë prodhuese e sigurisë për vendin, rajonin dhe më gjerë. Ne ndihemi jashtëzakonisht mirë që si institucion i ri kemi arritur të japim diçka për ushtritë partnere në fushën e trajnimeve të kërkim- shpëtimit, gjë të cilën do vazhdojmë të ofrojmë edhe në të ardhmen përmes Qendrës së Kërkim-Shpëtimit në Regjimentin e Mbrojtjes Civile. Duke pasur parasysh kapacitet aktuale që kemi si njësi bazuar në mision dhe në bashkëpunim për forcimin e tyre, do të jemi në gjendje që në kohë sa më të shkurtër t’iu përgjigjemi kërkesave në shërbim të qytetarëve për të dy vendet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme