Google ADS

Nagavci: Të intervistohen të gjithë zyrtarët e përfshirë në rastin Dehari

00:00 | 6 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes ka thënë se pas ekspertizës së Institutit Zviceran për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, është i nevojshëm një hetim i ri. Sipas saj, duhet të hetohen të gjithë zyrtarët që ishin të përfshirë në këtë rast.

Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Nagavci ka thënë se “ky rast ishte mënyra më e keqe që të na bëjë të gjithëve të qartë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe se s’ka siguri as në institucionet ku duhet të kishte siguri maksimale”.

Ajo ka thënë se tash është obligim që të vihet drejtësia. Sipas saj, zyrtarët e shtetit kishin bërë deklarime të ndikuara politikisht për këtë rast.

Nagavci ka thënë në Interaktiv të KTV-së se të gjithë zyrtarët që ishin pjesë e sistemit të drejtësisë në atë kohë, e që ishin të përfshirë në rast, dhe vazhdojnë të mbajnë postet e tyre, duhet të largohen për t’i hapur rrugë hetimit të ri.

“Është obligim i institucioneve që të sigurohet vënia në vend e drejtësisë. Jo veç për Astritin, por për secilin qytetar të Republikës së Kosovës sepse është rast që jo vetëm s’guxon të përsëritet më, por të hetohet në mënyrë profesionale për të vënë përgjegjës të gjithë ata që ndikuan e shtrembëruan të vërtetën. Ekspertiza vetëm se e vërtetoi edhe një herë atë që kemi thënë në vazhdimësi. Duhet hetim i ri”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se ekspertiza vërtetoi shkencërisht që Dehari nuk ishte vetëvrarë.

“Andaj është obligim që të nisë hetim profesional duke u përjashtuar ose duke u ftuar si dëshmitarë apo të dyshuar personat që ishin të përfshirë në këtë rast, të gjithë. Sigurisht të gjithë të ftohen si të dyshuar apo dëshmitarë e madje ata që janë akoma në pozita të shkarkohen që të hapet rrugë për hetime të pavarura. S’mund të presim që do të ketë deklarata të pavarura përderisa personat që ishin të përfshirë vazhdojnë të jenë në detyrë”, ka thënë tutje Nagavci.

Aktivisti i VV-së, Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, nën dyshimin se bashkë me aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes e sulmuan Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë kishte vlerësuar se Dehari kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit, të cilët më pas kërkuan hetim ndërkombëtar./koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme