Google ADS

Nagavci shpalos para deputetëve pesë qëllime: Synojmë përmirësimin e pasojave të pandemisë

12:43 | 6 Korrik 2021
M. A.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shpalosur para deputetëve të Komisionit për Arsim disa nga qëllimet kryesore të saj.

Mes pesë qëllimeve kyçe të kësaj ministrie, ajo ka theksuar përmirësimin e pasojave të pandemisë e harmonizimin e mësimit me kërkesat e tregut të punës.

“Qëllimet strategjike që i kemi prezantuar edhe në programin tonë qeverisës, arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës e i digjitalizuar, sigurimi i cilësisë në mësimin parauniversitar, përmirësimi i pasojave të pandemisë”.

“Qëllimi i dytë ka të bëjë me harmonizimin e mësimit me tregut e punës ku kemi arritur përkrahjen e Zvicrës që do të merret me këtë, menaxhimi efektiv i të gjithë mekanizmave të arsimit është si synim i tretë. Qëllimi i katërt ka të bëjë me cilësi të arsimit të lartë në harmoni me standardet ndërkombëtare, kurse qëllimi i pestë përmirësimi i gjendjes së inovacionit shkencor”, është shprehur ajo.

Nagavci tutje ka njoftuar deputetët me disa nga punët që tashmë kanë nisur nga ministria e Arsimit.

Ajo ka thënë se me synim të zbutjes së pasojave të pandemisë kanë organizuar mësim shtesë për nxënësit.

Poashtu Nagavci ka thënë se kanë ndarë 100 mijë euro si mbështetje për vazhdimin e mësimit të studentët që janë pranuar për studime në universitet prestigjioze në botë.

“Disa nga punët e përfunduar deri më tani është vendimi për organizimin plotësues për ata nxënës që kanë pas problem për mësimnxënie gjatë vitit 2020. Kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit që studentët e nivelit master të zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzënë që mos të ketë shkëputje të mësimit”.

“Janë ndarë 100 mijë euro për studentët që janë pranuar për studime në universitet prestigjioze në botë si mbështetje financiare për vazhdimin e studimeve të tyre”, ka shtuar ajo

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi e ka kritikuar për një raportim sipërfaqësor, ndërsa Nagavci ka thënë ishte mjaftë konkrete në fjalën e saj.

“Është shumë konkret, përmenda veprime e mendime që disa edhe janë nënshkruar e realizuar tashmë”, është shprehur ajo.

Kurse deputetja opozitare nga PDK-ja, Eliza Hoxha ka thënë se është shqetësuese moszbatimi i ligjeve administrative për licencimin e mësimdhënësve, dhe kontrata kolektive e nënshkruar nga ministria e Arsimit.

Hoxha ka kërkuar që të saktësohet se si do të arrihet digjitalizimi i shkollave. Sipas Hoxhës mbetet shqetësim çështja e Bordit të UP-së ku janë emëruar profesor të universiteteve private dhe statuti i Universitetit të Prishtinës sepse brenda tij bëhen edhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Brengë për Hoxhën ka mbetur edhe mësimi gjithëditor, raporton EO.

Ministrja Nagavci ka thënë se kontrata kolektive çdo ditë po ballafaqohen me të.

“Është në kompetencë të komunave që të ndajnë buxhetin. Kurse digjitalizimi i sistemit arsimor është duke u punuar kemi përkrahje të partnerëve”.

Gjithashtu, Nagavci ka pohuar se deri në shtator do të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit me qëllim që mësimi të fillojë me prezencë fizike në objekte shkollore.

“Synimi jone është që të vazhdojmë me prezencë fizike. Është një hap i mirë që ka filluar vaksinimi i mësimdhënësve dhe në shtator do të kemi të vaksinuar të gjithë mësimdhënësit. Besojmë se do të jetë me prezencë fizike në shkolla, por do të jemi të gatshëm edhe për forma të tjera”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme