Nagavci promovoi abetaren e përbashkët në Tiranë

08:20 | 12 Shtator 2022
Emir Abduramani

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, dje ka qenë në vizitë zyrtare në Shqipëri, ku e promovoi abetaren e përbashkët, Kosovë-Shqipëri.

Përmes një njoftimi në Facebook, Nagavci njoftoi se me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në Shqipëri, bashkë me kryeministrin dhe ministrat nga Shqipëria e përuruan abetaren dhe uroi nxënësit për këtë abetare të re.

Ajo theksoi se duke qenë bashkë të dy vendet, do të jenë më të fortë dhe do të mund t’i arrijnë qëllimet e dy shteteve për sukses në fushën e arsimit.

Postimi i plotë:

Pas promovimit në Gjakovë, Abetaren e përbashkët unike Kosovë–Shqipëri e promovuam edhe në Tiranë, nga ku, bashkë me kryeministrin Edi Rama, ministren Evis Kushi dhe ministrin Jeton Shaqiri uruam të gjithë vogëlushët shqiptarë, të cilët do të jenë të parët që do ta fillojnë këtë histori të bukur shqiptare.

Kur flasim për Abetaren, natyrshëm na vijnë në mendje të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet, e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë.

Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar.

Tash, të gjithë së bashku le ta bëjmë historinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës, arsimit dhe fuqizimin e kombit shqiptar.

Shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona, na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor.

E gëzofshi Abetaren e re!” – shkroi Nagavci në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme