Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për formimin e partisë nga të larguarit e partisë së saj.
Edhe pse ka thënë ta ketë lexuar me shpejtësi “Deklaratën e Parimeve” të të larguarve të VV-së, Nagavci ka thënë se këto parime janë të njëjta me qëndrimet që ka Vetëvendosja dhe ende habitet me largimin e tyre nga partia.
“I përcjella Visarin [Ymerin] dhe Dardanin [Sejdiun] në emision [Rubikon], i kam lexuar me shpejtësi sepse vazhdoj të jem kurioze arsyet e vërteta e largimit të tyre. Është e drejtë e tyre, por e pamë që një numër i konsiderueshëm [i parimeve] janë të njëjtat qëndrime që i ka pasur LVV-ja. Ata kanë pasur pozita të rëndësishme në VV, por është e pakuptueshme se përse nuk qëndruan në VV për realizimin e atij programi që është i njëjti”, ka thënë Nagavci.
Deputetja e VV-së, ka thënë se deputetët e pakënaqur të VV-së, me largimin e tyre ia kanë zgjatur jetën qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe ua kanë humbur shpresën qytetarëve për ndryshime në Kosovë, transmeton Koha.net.
“Veprimi i tyre e ka zgjatur jetën kësaj qeverisje. Ka ndikuar te njerëzit që të humbin shpresën, por nuk ka dallime të mëdha me VV-në. Kjo më bëri përshtypje se ne nuk jemi idealista por racional. Ne vazhdojmë të kemi ideale për këtë vend, por Lëvizja ka qenë racionale. E kemi pasur të shkruar se si do të realizohej plani me ardhjen në pushtet. Ka pasur mënyrë racionale me ardhjen tonë në qeverisje. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë dhe është e qartë për qytetarët se përkundër largimeve, Lëvizja mbetet subjekti i vetëm që ka nevojë ky vend”, ka thënë deputetja e VV-së.
E pyetur nëse Vetëvendosje është lëkundur me largimin e 12 deputetëve, Nagavci ka thënë se partia e saj nuk nxirret keq nëpër sondazhe.
“Sondazhet nuk e nxjerrin keq VV-në, nëse LDK-ja u referohet sondazheve që janë reale, Vetëvendosje nuk qëndron keq. Kur ka filluar largimi i deputetëve situata është përmirësuar në favor të Lëvizjes. Tashmë situata është e qartë pasi më herët ishim të hutuar. Nuk kam parë asnjë arsye të vetme që ky grup të ndahet nga Lëvizja”, ka thënë Nagavci.
Deputetja ka thënë se të pakënaqurit kishin një strategji për largim nga Vetëvendosje. Sipas saj, largimin e vendosën kur u konfirmuan si deputetë e asamblistë.
“Ka pasur një strategji, sepse filluan me largime, tash dolën me Parime. Nuk janë angazhuar në ndarje, por janë munduar që të dalin më mirë në zgjedhje me qëllim që të dalin sa më mirë si deputetë apo si asamblistë”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka folur edhe për organizimin e tryezave nga partitë politike. Ajo ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk është e qartë se çfarë konsensusi po tentohet të arrihet me këto tryeza. Monitorimi i punës dhe përgjegjësisë duhet të diskutohet në parlament. Po vazhdohen kompromiset e dëmshme siç është rasti i demarkacionit, kemi këto platformat dhe afrimet e Haradinajt me Hashim Thaçit dhe së fundmi ishin në shtëpinë e Sami Lushtakut. Vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje për shkak se kjo qeverisje është e papërgjegjshme ndaj kuvendit dhe qytetarëve. Subjektet duhet të diskutojnë në favor të zgjedhjeve sepse kjo qeveri erdhi me tradhti të akuzave të saj”, ka thënë Nagavci, e cila gjithashtu ka thënë se Vetëvendosje nuk do të votojë platformën me të cilën Hashim Thaçi autorizohet t’i udhëheq bisedimet me Serbinë.
“Ne kemi parë platformën nga mediat. Ende nuk e kemi marrë si dokumente, as që duhet të quhet platformë sepse është dokument i thjeshtë. Thaçi që ka qenë nismëtar i negociatave, për të cilat asnjëherë nuk ka raportuar në Kuvend, është e padrejtë dhe është jokushtetuese që ai t’i prijë këto bisedime, kështu që ne jemi kundër kësaj platforme”, ka thënë ajo.
“Duhet të hetohet se si ka shkuar ky proces deri më tani. Çfarë është arritur dhe çfarë nuk është diskutuar nga pala kosovare. Duhet të bëhet një diskutim i gjerë, jo vetëm partitë politike dhe të caktojë një platformë të mirëfilltë që do të përmbante udhëheqësin dhe ekipin e këtyre diskutimeve. Konsenusi do të arrihej që prej fillimit. Është absurde të kërkohet që të kërkohet konsensus kur nuk ka pasur asnjëherë diskutime”, ka thënë veç të tjerash ajo.
Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar rreth ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ajo ka thënë se Kushtetuesja nuk e ka hedhur poshtë kërkesën, por vetëm nuk e ka shqyrtuar./Koha.net/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...