Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur sot, se nga viti i ardhshëm shkollor do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative si një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka pasur ankesa të shumta mbi cilësinë e teksteve aktuale mësimore për shkak të gabimeve dhe pasaktësive, andaj nga viti i ardhshëm do të bëhet edhe rishikimi i teksteve mësimore.
“Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do të duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës. Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative”, ka thënë Nagavci.
Postimi i plotë i Nagavcit:
“Nga viti i ardhshëm shkollor, do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative
Tekstet shkollore janë një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim. Andaj, në agjendën legjislative e kemi paraparë Ligjin për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik. Ne synojmë që përmes ligjit të ri të kemi tekste më cilësore për nxënësit tanë.
Viteve të kaluara me të drejtë ka pasur ankesa të shumta dhe është kritikuar cilësia e teksteve mësimore. Në to janë evidentuar pasaktësi shkencore, gabime përmbajtësore, gabime metodologjike e drejtshkrimore, andaj dhe nga viti i ardhshëm do të rishikojmë tekstet mësimore.
Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës.
Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative.
Presim që mësimdhënësit të jenë në nivel të detyrës, të analizojnë të gjitha tekstet dhe të vendosin se cilat janë më të përshtatshme dhe me cilësore për arritjen e rezultateve të synuara sipas kurrikulës.
Ndonëse për çdo vit në shkolla janë ofruar tekstet pa pagesë, kemi pasur shumë raste kur prindërit dhe mësuesit kanë blerë vet tekste dhe kanë përdorë tjera prej atyre që i ka dërguar Ministria, andaj përmes tekstit alternativ, do ta eliminojmë edhe këtë problem”, ka shkruar Nagavci.
Ndryshe, Ministria e Arsimit ka vendosur që të ndryshojë datat për përfundimin e vitit shkollor.
Në vendimin të cilin MASHT-i e ka marrë sot, thuhet se parashkollorët, klasat nga e para e deri në të tetën do të përfundojnë mësimin më 2 korrik. Kurse klasat 9,10 dhe 11 do të përfundojnë mësimin me 21 qershor.
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...