Google ADS

Nagavci: Duhet angazhim maksimal që deklarata e Grenell të bëhet realitet

23:50 | 27 Mars 2020
Arbresh.info

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, e ka përshëndetur deklaratën e të dërguarit të  presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, i cili ka thënë se nuk ka parë ndonjë plan për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Në një lidhje direkte për Klan Kosova, Nagavci e LVV-së mes tjerash foli edhe për raportin që partia e saj e ka me Grenell dhe SHBA-të, dhe akuzoi partitë tjera që po propagandojnë ndaj tyre se janë “antiamerikanë”.

“Është një deklaratë që duhet përshëndetur dhe duhet angazhim maksimal që kjo të bëhet realitet, pas diskutimeve të presidentit të Kosovës, i cili që nga vera ka folur për shkëmbim territoresh”.

“Deklarata e sotme e Grenell është e njëjtë me atë që e dhanë tre diplomatë të tjerë, dhe në të dyja rastet ceket qe Grenell nuk ka parë një plan të tillë, pra nuk thuhet që nuk ka diskutime dhe kjo gjë as që mund të thuhet dhe mohohet se ata këto i kanë bërë me deklarata publike, por gjëja e mirë është se pas insistimeve dhe vëmendjes se vazhdueshme nga ne, është se plani i Thaçit me Vuçiqin nuk mund të realizohet në Republikën e Kosovës”.

“Ajo që Kurti i ka thënë Grenellit është e njëjta që e ka deklaruar edhe gjatë gjithë kohës, që nga koha e fushatës zgjedhore se qëndrimi i LVV-së është që taksa duhet të hiqet dhe të zëvendësohet me reciprocitet. Ajo në të cilën beson dhe angazhohet LVV është reciprociteti”.

“Është një mënyrë shumë e ulët e të propaganduarit kjo ndaj nesh. Asnjëherë nuk e kemi mohuar që taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet”.

“Grenell e tha një të vërtetë të tij, tregoi se Kurti i ka thënë se do ta heqë taksën. Tashme është hequr taksa për lëndën e parë”.

“Deklaratat publike të presidentit Thaçi që nga viti 2018, i cili fillimisht foli për shkëmbim territoresh, pastaj për shkëmbim të kufijve dhe pastaj edhe për kilometra të kufijve”.

“Duhet të kemi kujdes që interesat tona të kenë ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të  vendit. Grenell tha se nuk e përkrahë shkëmbimin territorial, e kjo nënkupton që Thaçi në pazaret me Serbinë ka qenë i vetmuar”.

“Mocioni për rrëzimin e Qeverisë ishte i turpshëm se ndodhi në një kohë kur e gjithë bota po mobilizohet për shëndetin publik. Partneri ynë qeverisës inicioi mocionin për një çështje krejtësisht të papërgjegjshme, ngritën mocion për mos-heqje të tarifës derisa në programin qeverisës ishin pajtuar që ajo duhet të zëvendësohet me reciprocitet”.

“Nuk ka pasur pothuajse fare reagim nga PDK-ja. Ata thjesht kanë qëndruar në prapavijë e pritje për realizimin e skenarit që tashmë është i qartë. Ishte një dëshmi qe Thaçi i ka 82 vota ne Kuvend, të cilët janë në shërbim të tij”.

“Neni 82 i kushtetutës e përmend saktësisht se Presidenti duhet ta shpërndajë Kuvendin, dhe marrë parasysh situatën me pandeminë, nuk mund të shkojmë në zgjedhje të reja dhe kjo nënkupton se ne duhet të mbetemi në qeveri deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja”, u shpreh Nagavci.

 

Të ngjashme