Nafta lirohet në botë, shtrenjtohet në Kosovë

17:03 | 31 Mars 2022
L G

Çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës, sërish ka shënuar rritje, pavarësisht se në bursën ndërkombëtare ka shënuar ulje.

Përfaqësues të naftëtarëve çmimin e arsyetojnë për shkak se importi i këtij produkti nga kompanitë tregtare dhe furnizuese është blerë më herët, me çmim më të lartë.

Në Kosovë, më 31 mars, një litër naftë është shitur deri në 1.69 euro, ndërkaq benzina deri në 1.59 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni. Çmimi i këtij produkti disa ditë kishte shënuar rënie deri në 1.49 euro.

Me çmimet aktuale këto produkte janë shitur edhe më 8 mars, kur nafta e përpunuar në bursën ndërkombëtare ka qenë 130 dollarë për fuqi.

Mirëpo, nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, më 31 mars ka rënë në rreth 106 dollarë për fuçi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), të mërkurën ka thënë se sinkronizimi i rritjes së çmimeve të naftës lë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit. Ata kanë shtuar se autoritetet po inspektojnë në terren.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të enjten përgjigje nga MINT-i se cilat janë gjetjet nga inspektimi në terren, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Lëvizjet e çmimeve të karburanteve po ndodhin për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian kanë vendosur kundër Moskës.

A mund të mbijetojë bota pa naftën dhe gazin rus?

Lufta në Ukrainë ngadalëson edhe ekonominë e Kosovës

Irfan Gërgruri, pronar i kompanisë “Gërguri Petrol”nga Fushë Kosova, që merret me shitjen me pakicë të karburanteve, pranon se të mërkurën (30 mars) ka rritur çmimin e karburanteve nga 1.60 në 1.65 euro, edhe pse ka pasur rezerva, “pasi që çmimi është rritur edhe nga kompanitë tjera”.

Ai shton se nuk varet nga çmimi i bursës ndërkombëtare, por nga çmimi, me të cilin blen në kompanitë brenda Kosovës.

“Kompanitë e mëdha i shikojnë vetëm interesat e veta. Ne jemi duke punuar me humbje. Para katër ditësh jam furnizuar me naftë me 1.59 euro. Deri më 29 mars me pakicë e kam shitur 1.60 euro, kurse nga e mërkura e kam ngritur çmimin në 1.65 euro. Nga dje jemi më mirë, fitojmë 0.6 centë në ditë”, thotë ai.

“Benzinën e kam blerë 1.46 centë dhe deri dje e kam shitur nga 1.40 euro, me katër centë në humbje. Tash është 1.50 euro – qe dy ditë jemi më mirë”, thekson ai.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga kompanitë që merren me tregtim dhe furnizim me shitje me shumicë të karburanteve në Kosovë, por ato nuk kanë dhënë përgjigje se me çfarë çmimi janë furnizuar.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se çmimet aktuale në treg janë rritur për shkak se importi i produktit ka ndodhur më herët dhe tashmë ka dalë në shitje.

“Çmimi i karburanteve me shumicë – më 31 mars, një litër naftë ka kushtuar 1.55 euro, shto këtu edhe marzhën e Qeverisë. Kështu që çmimi i një litre naftë në treg del 1.69 euro”, tha Berjani.

Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë.

Sipas këtij vendimi, që ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve, marzha më e lartë tregtare është 4 për qind e çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë arrin deri në 6 për qind.

Berjani shprehet se në lëvizjen e çmimeve ka ndikuar edhe ndërprerja e furnizimit për Kosovën, nga disa kompani nga Shqipëria.

Aktualisht, vetëm një operator nga Shqipëria importon derivate në Kosovë, ajo është “Gega Oil Group”.

Pronari i kësaj kompanie, Genc Gega, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rezerva të derivateve ka mjaftueshëm, por kërkesa nga kompanitë e Kosovës ka rënë dukshëm për shkak të rritjes së çmimit. Ai tha se nga 4.2 milionë litra në ditë, sa ka qenë kërkesa më herët, tash kërkohen deri 200 mijë litra në ditë.

“Nafta me shumicë për operatorët e Kosovës shitet për 1.53 euro”, thotë Gega.

Çmimi i naftës me pakicë në tregun e Shqipërisë është 1.95 euro, ndërsa benzina 1.79 euro.

Çmimet më të lira të karburanteve janë në tregun e Maqedonisë së Veriut. Një litër naftë kushton 1.42 euro, kurse benzina 1.39 euro.

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe karburantet i importon nga vende të tjera.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 410 milionë litra naftë. Në këtë shifër nuk janë përfshirë derivatet e benzinës.

Në periudhën nga 24 shkurti deri më 8 mars, në Kosovë janë importuar rreth 31 milionë litra karburante, më së shumti nga Arabia Saudite, e pastaj nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Turqia e vende tjera.

Të ngjashme