Mustafa: Uniteti i brendshëm nuk mund të zëvendësohet me protagonizëm dhe sjellje populiste

11:40 | 9 Qershor 2020
Arbresh.info

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së i kanë dhënë përkrahje të pa rezervë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Tutje ish kryeministri bën të ditur se në takim është theksuar edhe fakti që disa deputetë të partisë së tij nuk e përkrahën Qeverinë, transmeton portali arbresh.info.

Sipas tij, ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, por që vendimet e shumicës duhet të respektohen.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe veprimtarë të LDK-së
Në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe Kryeministrit Hoti.
U theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.
Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në digasteret qeveritare.
Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së.
Ishte konstatim i përgjithshë se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste. IM

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme