Mustafa tregon kur do mbahet Kuvendi i LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri

17:56 | 4 Mars 2021
L G

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së kryetarëve të degëve.

Mustafa përmes një konference për media tha se nuk ndërhynë në zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili do ta udhëheqë këtë parti.

“Pata takimin me kryetarë të degëve të LDK-së, diskutimi ka qenë lidhur me përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së. Kuvendi do të mbahet me 14 mars. Nga degët është kërkuar që të organizohen në mënyrë që gjithë delegatët e Kuvendit që janë nga degët, sepse tek ne degët i dërgojnë delegatët e Kuvendit, ata që janë zgjedh në Kuvendin e kaluar zgjedhor, sepse ky kuvend nuk është Kuvend i përgjithshëm i LDK-së , të bëhen përgatitjet e duhura dhe ta përfundojmë këtë çështje me datë 14” , tha Mustafa, shkruan arbresh.info.

Ai, u deklaruar edhe rreth kandidaturave që janë shfaqur së fundmi për kryetar të kësaj partie.

“Ka pasur deklarime në media të ndryshme për kandidatura zyrtare. I presim në Kuvend dhe nuk dua që as unë e as kryesia të intereferojmë në to, por e presim Kuvendin”, u shpreh Mustafa.

Ai ka thënë se respekton votën e qytetarëve dhe e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Nuk e komentoj fitoret individuale, unë e respektoj votën e çdo qytetarit, i pranojmë rezultatet e zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa, pas përfundimit të takimit të Kryesisë me kryetarët e degëve të LDK-së.

Vjosa Osmani e cila në vitit 2019 ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, në zgjedhjet e 14 shkurti të këtij viti ka dalë politikania më e votuar me mbi 300 mijë vota, si pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme