Shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa kërkon që taksa ndaj produkteve serbe të hiqet ashtu sic kërkon Amerika.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebok, Mustafa ka thënë se që nga fillimi ka qenë kundër tarifës 10, por edhe 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, vendosja e kësaj tarife nuk kishte arsyetim ekonomik, por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme, raporton arbresh.info.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Tutje, i pari i LDK-së, është shprehur optimistë se deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e nesërme do t’i japin përkrahje Qeverisë për heqjen e tarifës, ashtu sic po kërkojnë SHBA-të.
“Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik”, është shprehur Mustafa./arbresh.info
Postimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar qytetarë
Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike.
Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.
Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.
Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.
Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.
Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...