Mustafa: Skandalet e qeverive para nesh, tash po i paguajmë ne

18:40 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka akuzuar qeveritë e mëparshme për skandalet e ndodhura, për të cilat është e detyruar qeveria e udhëhequr nga ai të paguajë miliona për ato skandale.

Në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të LDK-së, në Shtime, kreu i kësaj partie Isa Mustafa theksoi se qeveria e tij është më e mira, duke mos pasur asnjë skandal korruptiv deri me tani.

Porse, sipas tij, skandalet e mëhershme të shkaktuara nga qeveritë e kaluara, po e detyrojnë që të paguajë milionat e atyre skandaleve.

Mustafa: Po i paguajmë skandalet e qeverive të mëhershme

“Nuk shohim arsye që s’kemi qeverisur me së miri dhe që s’i kemi kontribuuar me së shumti këtij vendi, sa i përket zhvillimit ekonomik. Nuk shohim arsye që s’i kemi plotësuar të gjitha kriteret që BE-ja i ka kërkuar para nesh. Nuk shohim arsye s’kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, që s’e ka nënshkruar askush para nesh. Nuk kemi arsye, sepse kemi rritjen më të madhe ekonomike, që ka pasur ky vend dhe më të madhe se çdo shtet fqinjë edhe dhjetë vjet para nesh kanë kryer tranzicionin. Nuk kemi arsye, sepse nuk jemi qeveri e korruptuar dhe nuk kemi asnjë skandal, por na tash po i paguajmë skandalet që kanë ndodhur para nesh. Po paguajmë miliona, e dhjetë miliona të krijuara përpara, por për këtë duhet drejtësia ta jap vërdiktin e vet”, tha Mustafa.

Mustafa nuk është ndalur me kaq, i ka quajtur frikacak dhe të papërgatitur ata që nisin një punë dhe e lënë në gjysmë.

Mustafa: Vetëm frikacakët e lënë punën gjysmë

“Ne jemi që të respektojmë të gjitha proceset demokratike, por jemi po ashtu të respektojmë përgjegjësitë që kemi marr para qytetarëve, për t’i përmbushur të gjitha premtimet dhe obligimet që kemi marr para qytetarëve tanë. Qeveritë janë që të qeverisin dhe përmbushin detyrimet. Qeverisja nuk nënkupton që si të lodhesh dhe të bëhesh i dobët, të skajohesh anësh dhe të thuash, po të bëjë veprime tjera. Vetëm frikacakët dhe të papërgatiturit e lanë punën në gjysmë, ne në LDK nuk e kemi mendjen ta lëmë punën në gjysmë”, theksoi Mustafa.

Ndërsa, kryetari i LDK-s në Shtime, Selim Shabani, po ashtu drejtoi një mal akuzash ndaj pushtetit aktual në këtë komunë, të cilën e udhëheq PDK-ja.

Shabani: Shpresë për qytetarët e Shtimes është qeverisja e LDK-së

“Qytetarët e Shtimes po përballen me një gjendje të rënd ekonomike, si rezultat i keqqeverisjes aktuale komunale. Qytetarët e Shtimes janë të lodhur dhe zhgënjyer me ketë qeverisje komunale, e zhytur në keqpërdorim të pushtetit me punësime partiake, nepotiste, me keqmenaxhim të parasë publike dhe pronës publike. Kjo mënyre e qeverisjes ka ndikuar që qytetarët e Shtimes ta humbin besimin në qeverisjen aktuale komunale. Prandaj, shpresë e vetme për shtet ligjor prosperitet qytetarë është qeverisja e LDK-së. Këtë po e dëshmon qeverisja qendrore”, u shpreh ai.

Në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të LDK-së në Shtime, çmimi “Ibrahim Rugova” iu dha aktivistit shumë vjeçar dhe themeluesit të kësaj partie, Ahmet Ahmeti dhe çmimin postmortum Zeqir Rexhajt. Po ashtu, në këtë aktivitet dhjetëra të rinj nga Shtimja, kryesisht familjarë të Zeqir Rexhajt u anëtarësuan në LDK.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme