Mustafa: Përurimi i Kullës ku ra dëshmor Ismeti Rrahmani dëshmi se historia e dëshmorëve po përjetësohet

15:23 | 22 Prill 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Kullës Muze të ndërtuar për nder të dëshmorit Ismet Rrahmani.

Në inaugurimin e Kullës, ishin të pranishëm po ashtu ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të Komunës së Skenderajt, veteranë të luftës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, Ismet Rrahmani. Kryeministri Mustafa, vlerësoi lartë figurën dhe kontributin e dëshmorit Ismet Rrahmani dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës, duke theksuar se veprat e tyre do të mbesin përherë pjesë e kujtesës historike dhe burim frymëzimi për të ardhmen tonë.

“Kontributi dhe angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën, janë shtytje për ne, që të punojmë me përkushtim dhe të realizojmë në plotëni veprën e heronjve tanë. Përurimi i Kullës Muze, ku ra dëshmor Ismeti, është dëshmi se historia e këtyre burrave po përjetësohet”, tha kryeministri Mustafa. Pas fjalimeve nga të pranishmit, kryeministri Mustafa bashkë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënën dhe vëllain e dëshmorit, Ismet Rrahmani, bënë prerjen e shiritit të Kullës së dëshmorit Ismet Rrahmani.

Fjala e kryeministrit Mustafa në ceremoninë e inaugurimit:

Për mua është nder i veçantë që ndodhem bashkë me ju, në Açarevë të Drenicës, në vendlindjen që lindi dhe rriti një figurë të shquar të historisë më të re të Kosovës, siç është ajo e Ismet Rrahmanit, që Kosovës i dha shumë, duke kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj përgjatë gjithë jetës së tij.

Të nderuar pjesëmarrës, Kosova krenohet me figurat e saj, me veprat që do të mbesin përherë pjesë e kujtesës historike dhe burim frymëzimi për të ardhmen tonë, për të ndërtuar një Kosovë të lirë, humane dhe të prosperuar. Kontributi dhe angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën, janë shtytje për ne, që të punojmë me përkushtim dhe të realizojmë në plotëni veprën e heronjve tanë. Përurimi i Kullës Muze, ku ra dëshmor Ismeti, është dëshmi se historia e këtyre burrave po përjetësohet. Kjo është dëshmi se institucionet e Kosovës, janë të përkushtuara për të ruajtur dhe kultivuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Kulla e Ismet Rrahmanit është investim i Ministrisë së Kulturës dhe i Komunës së Skenderajt, është kontribut i veçantë, por para së gjithash është meritë e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sot, jam i lumtur që kjo hapësirë po shndërrohet në një vend të rëndësishëm për historinë e re të Kosovës, ku qytetarët e këtij vendi mund të vijnë dhe të vizitojnë, për t’u njohur me vlerat që përfaqëson lufta jonë për liri, që përfaqësoni ju luftëtarët tanë të kësaj ane që flijuat çdo gjë për lirinë e vendit tonë. Si Kryeministër i Kosovës, jam i lumtur që vepra e Ismetit dhe e gjithë dëshmorëve tjerë, gjithnjë e më shumë po rrezaton dhe frymëzon për të ndërtuar një Kosovë ashtu siç e ëndërruan ata, pjesë të kombeve të përparuara të botës perëndimore. Ismet Rrahmani u sakrifikua për lirinë tonë, ndërkaq ne sot, po e kujtojmë veprën e tij me plotë nderim, duke e përjetësuar dhe duke e bërë pjesë të historisë së Kosovës.

Të nderuar të pranishëm, Kosova është krenare sot, ngase kujton veprën e Ismet Rrahmanit dhe të njëjtën e përjetëson, duke e shndërruar në pasuri të kulturës së Kosovës. Sot, po ashtu ndiejmë dhimbje të thellë njerëzore për humbjen e këtij dëshmori. Ismet Rrahmani me jetën dhe veprën e tij, ka lënë një testament të përhershëm që ne të punojmë për Kosovën, mbi të gjitha, të punojmë me atdhedashuri dhe përkushtim. Ne, si institucione, do të punojmë pa reshtur për të njohur sa më shumë veprën e tyre, sepse kështu e trasojmë rrugën drejt një të ardhme më të ndritshme të Kosovës. Faleminderit!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme