Google ADS

Mustafa: Për formatin e dialogut vendosim me Thaçin e Veselin

16:02 | 2 Mars 2017
Arbresh.info

Pas disa seancave në të cilat nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, kryeministri Isa Mustafa kishte vendosur që sot të përballet me pyetjet e ligjvënësve.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra kërkoi përgjigje nga kreu i Qeverisë se cilat do të jenë kompetencat e tij në dialogun e Brukselit, pas paralajmërimit të ministres për dialog Edita Tahiri se do të ndryshoj formati i dialogut.

“Si do të përfshihet dhe cilat do të jenë kompetencat e juaja si kryeministër në diskutimet e fundit që i kemi pasur në komisionin për politikë të jashtme edhe me ministren për dialog Tahiri na është thënë që do të ketë një fazë të re të dialogut”, pyeti Deliu-Kodra.

Kryeministri Mustafa në përgjigjen e tij tha se ndryshimi i formatit do të bëhet në koordinim me presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

“Tani si do të jetë formati i dialogut ne këtë çështje do ta trajtojmë së bashku me presidentin e vendit, me kryetarin e Kuvendit. Ky format bëhet natyrisht edhe me formatin që ka Serbia, pjesa dërrmuese e çështjeve që diskutohen atje janë çështje qeveritare, por varësisht nga nivelet që përcaktohen në Bruksel do të përcaktohen dhe në Kosovë dhe do të bëjmë përpjekje që në të ardhmen të jemi më transparent”, tha Mustafa.

Kreu i ekzekutivit me tutje shtoi se në dialogun e deritanishëm kanë shtruar shumë çështje. Ai tha se në kuadër të reparacionit, çështjen e të pagjeturve e kanë shtruar edhe më herët, derisa do të kërkojnë garancën e Brukselit që Serbia të jep informata të sakta për vendndodhjen e varrezave masive.

“Në kuadër të reperacionit ne kemi shtruar edhe më parë si çështje evidente çështjen e të pagjeturve, ku ne do të kërkojmë garancën nga Bashkimi Evropian në mënyrë që Serbia të jap informacione të sakta për vendndodhjen  e personave akoma të pa gjetur dhe lokacionin e varrezave masive në Serbi. Do të kërkojmë hapjen e arkivave të ish ushtrisë jugosllave që tash janë në Serbi të cilat tani po na pengojnë që po bëhen gërmime por nuk po gjenden të mbeturat mortore të njerëzve të cilët priten të identifikohen”, theksoi ai.

Kreu i qeverisë shtoi se në dialog do të hapet çështja e fondit pensional dhe invalidor të qytetarëve të Kosovës dhe kthimin e depozitave bankare, çështja e dëmshpërblimit për dëmet e luftës, për vrasjet, humbjet e njerëzve, dëmshpërblimet për trashëgimitë kulturore dhe fetare, për humbjen e pagave të personave të përjashtuar nga puna dhe dëmshpërblimet ose dëmet e drejtpërdrejta fizike prona privat dhe publike që janë si pasoj e veprimeve të Serbisë.

Ndërsa, sipas Mustafës, dialogu do të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve, demarkacionin e kufirit ndërkombëtarë në mes Kosovës dhe Serbisë, me respektimin e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy shteteve, përkatësisht me respektimin e sovranitetit të njërës dhe tjetrës.

Kryeministri Mustafa u pyet edhe për pensionet e atyre që kanë fituar statusin e invalidit, por që ende nuk kanë hyrë në pagesë.

Deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj kërkoi nga Mustafa të dijë se pse është shtyrë formimi i komisionit që do ta caktojë shkallën e invaliditetit.

“Në nëntor të vitit të kaluar kur e kam shtruar pyetjen përse pensionet e familjeve të dëshmorëve që iu është njohur statusi ju keni deklaruar se deri në fund të dhjetorit do të përfundojnë procedurat do t’i kemi listat dhe do të futen në pagesa, ndërsa tani jemi në shkurt edhe nuk kemi asgjë nuk ka lëvizur në caktimin e komisionit për caktimin e shkallës së invaliditetit të atyre veteranëve që iu është njohur statusi i invalidit”, tha Zogaj.

 

Rreth kësaj, kryeministri Isa Mustafa tha se nuk janë vonuar, por janë në koordinim me FMN-në dhe Bankën Botërore.

“Unë mund të them se nuk ka zhagitje të procedurave. Sa i përket shkallës se invaliditetit unë mund të them se është duke u punuar në formimin e komisioneve, po ashtu është duke u punuar me FMN-në dhe BB-në për harmonizimin e vlerësimit të shkallës se invaliditetit sepse ka kritika nga FMN-ja se janë dallimet shumë të mëdha ndërmjet asaj që çfarë për personat e tjerë konsiderohet shkallë e invaliditetit e çfarë për invalidët e luftës”, shtoi Mustafa.

Ndërsa sa i përket veteranëve, Mustafa tha se komisioni ka përfunduar punën, e po ashtu ka përfunduar punën edhe personeli administrativ që ka shërbyer këtij komisioni.

Në këtë seancë të Kuvendit pati edhe çështje të tjera që u shtruan nga deputetët. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka ngritur një çështje që për të ishte tejet shqetësuese. Rastin se u kishte shpërthyer goma gjatë kthimit nga Shqipëria në Kosovë me automjetin zyrtarë të Kuvendit të Kosovës  Gaxherrit, disa deputetëve të LDK-së dhe punëtorëve  administrativ, sipas sajë mund tu kishte kushtuar me jetë. Andaj deputetja e LDK-së konsideron se prokuroria duhet të merret me rastin që ta dinë a ishte atentat apo papërgjegjësi e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se në një punëtori të organizuar nga Komisioni për buxhet dhe financa së bashku me GIZ-in, përveç deputetes së PDK-së Safete Hadergjonaj dhe deputetit Enver Hoti nga Nisma, një deputet tjetër i PDK-së, ai i AAK-së dhe i VV-së kanë udhëtuar me automjete private, derisa, deputetët tjerë dhe administrata e Kuvendit kanë udhëtuar me automjetin zyrtar.

“Me automjetin zyrtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të tipit Kombi-bus kemi udhëtuar tre deputet të LDK-së. Kthimi i neve pesë deputetëve dhe katër punëtorëve të administratës ka qenë një dramë e cila krejt rastësisht nuk u kthye në tragjedi. Pas dy orësh udhëtim në magjistralen e Kombit në kushte të mira atmosferike eksplodon goma e pasme e automjetit zyrtarë dhe krejt rastësisht shpëtuam..pas 30 apo 40 minutave pasi hymë në Kosovë në magjistralen Ibrahim Rugova, eksplodon goma tjetër e pasme. Shqetësimi për mua mbetet pse ndodhi ky rast, andaj ftoj prokurorinë e shtetit që të merret me rastin ta dimë se a ishte atentat  i përgatitur ndaj deputetëve dhe të tjerëve apo ishte papërgjegjësi e Kuvendit të Kosovës, cila do qoftë është tejet shqetësuese lojë me jetën tonë..” tha Gaxheri.

Gaxherri gjithashtu beri apel tek prokuroria se nëse ai rast ishte atentat ata persona përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme