Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dërgon këtë komunikatë:
“Përvjetori i 107-të i shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë e gjen tërë popullin shqiptar plot dhimbje. Tërmeti që goditi shtetin shqiptar këto ditë rezultoi me humbjen e jetës së shumë shqiptarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve, pos dëmeve të mëdha materiale.
Këto 107 vjet dhe mijëra vjet të mëparshme kemi ndarë të njëjtën histori, gëzim, dhimbje, lumturi, tragjedi. Shteti i Kosovës dhe çdo qytetar i saj është mobilizuar me të gjitha forcat që kemi, të përkrahim shtetin dhe popullin e Shqipërisë. Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e tronditur nga tërmeti tragjik që ndodhi në Durrës dhe Thumanë, bashkëndjejmë dhe ndajmë dhimbjen me të afërmit e atyre që humbën jetën dhe me ata që janë lënduar.
Këto janë momente që testojnë dhe vërtetojnë fuqinë shpirtërore të çdo populli. Shqiptarët, anekënd botës, jemi më afër njëri-tjetrit se asnjëherë më parë. Në këtë ditë, që shënon kulmin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shkëndijën e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesës së të gjithë shqiptarëve në Ballkan për mëvetësi, ne shpërfaqim edhe një herë forcën tonë për të ngushëlluar njëri-tjetrin, për t’u lutur për njëri-tjetrin dhe për të përkrahur njëri-tjetrin drejt rimëkëmbjes.
Sot nuk festojmë dot por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare të pashtershme për t’i dalë zot vetes e njëri-tjetrit dhe të tejkalojmë çdo vështirësi që të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë. Uroj që të gjithë familjarët e atyre që humbën jetën të gjejnë ngushëllim, të lënduarit të gjejnë shërim dhe i tërë populli shqiptar të gjejmë sadopak qetësi shpirtërore këto ditë trishtuese.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar!”
Arrestohet një i dyshuar për mashtrim me kredi në Prishtinë
Vlorë, arrestohet 22-vjeçari, i dënuar për shitje të lëndëve...
Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj dy personave për ...
Kosova për herë të parë bëhet me Strategji të Sportit, kusht...
Gresa dhe Xheneta me akuza të ashpra ndaj Arionit
Gjermania dhe Rusia dëbojnë gazetarë të njëra-tjetrës midis ...