Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit të VI-të të Shoqatës së Pediatërve të Republikës së Kosovës.
Të pranishëm në këtë kongres ishin punëtorë shkencorë dhe pediatër nga SHBA, Shqipëria, Turqia, Rumania, Mali i Zi.
Në hapje të punimeve kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka shëndeti i fëmijëve duke theksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë sektor shumë të rëndësishëm në shëndetësinë kosovare.
Kryeministri Mustafa tha se ky Kongres është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi është fjala për një moshë dhe për një popullatë e cila meriton kujdes të veçantë, duke shprehur interesimin e Qeverisë që të ofroj kujdes të veçantë.
“Është fjala për fëmijët, është fjala për gratë, për familjen që meriton kujdesin e Qeverisë dhe kujdesin e shoqërisë. Unë mund t’ju siguroj se në këtë kohë, Qeveria është e përqendruar që me vëmendje të plotë të mbështes sektorin e shëndetësisë, të mbështesim reformat në fushën e shëndetësisë dhe unë jam shumë i bindur se një Kongres i tillë, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova dhe vendet e tjera, me më
shumë se 60 punime shkencore, do të jap një kontribut të rëndësishëm edhe për neve në Kosovë edhe për politikat qeveritare të cilat do t’i ndërtojmë në fushën e Pediatrisë e cila fushë është me prioritet edhe në strategjinë tonë të shëndetësisë, por jo vetëm tek ne, por është me prioritet edhe në politikat që Kombet e Bashkuara i zhvillojnë në këtë fushë”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se është obligim i Qeverisë së Kosovës, por edhe i institucioneve tjera që të gjithë potencialin financiar dhe kadrovik ta orientojë në përmirësimin e pozitës së fëmijëve, në kujdesin shëndetësor për fëmijët, në uljen e vdekshmërisë të fëmijëve, në të cilën është arrit rezultat.
“Por, dëshirojmë që ky rezultat të jetë më i madh në mënyrë që ta përmirësojmë edhe gjendjen tonë që e kemi në regjion, por dhe në Evropë dhe të investojmë më shumë në kapacitete, pajisje, ndërtesa dhe personel në mënyrë që kjo fushë të ketë përkrahje më të madhe të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës. Ne do të kemi investime në ndërtimin e kapaciteteve shëndetësore në këtë fushë dhe në spitalin e ri Pediatrik i cili do të filloj shpejt të ndërtohet. Kemi pasur edhe investime të veçanta në përkrahje me Bankën Botërore dhe institucionet tjera ndërkombëtare në këtë aspekt. Jemi duke punuar tani edhe në konceptin e sigurimeve shëndetësore të cilat do të ndihmojnë që ta lehtësojnë edhe më tepër kujdesin për shëndetësinë, por duhet të kemi parasysh se jemi shtet i cili është në fazën tranzitore dhe se në këtë fazë ne duhet të kemi edhe përkrahjen e miqve tanë, duhet të kemi përkrahjen e dijes e cila vjen nga vendet e ndryshme që janë lidere në këtë fushë”, tha kryeministri.
Në këtë rast, kryeministri Isa Mustafa, falënderoi pjesëmarrësit e vendeve të ndryshme, duke vlerësuar kontributin në këtë kongres.
“Ju uroj shumë suksese dhe ju siguroj se do të jemi me ju së bashku, por, po ashtu, kërkoj nga ju që të shtroni kërkesa konkrete, të na ndihmoni edhe neve që së bashku me ju ta qojmë përpara dhe ta përparojmë këtë fushë të rëndësishme”, tha kryeministri Mustafa.
Ramush Bejiqi, kryetar i Shoqatës së Pediatërve të Republikës së Kosovës, përshëndeti të pranishmit në Kongresin e VI-të, duke theksuar ndër të tjera se numri kaq i madh i prezantuesve tregon energjinë dhe frymën pozitive të pediatërve.
“Si profesionistë, ballafaqohemi me shumë probleme dhe sëmundje të vjetra të cilat morën mijëra jetë të reja në Kosovë dhe në rajon, por edhe ende kanosin shëndetin e më të bukurve tanë, fëmijëve.
Njëkohësisht ende ballafaqohemi me problemet e reja si produkt i zhvillimit shoqëror, industrial, kulturor, pjesë e lëvizjeve dhe migrimeve masive të cilat kanë sjellë deri te dyshimet në vaksinim, dyshime në medikamente, intervenime mjekësore e kështu me radhë.
Edhe pse organizatë joqeveritare, Shoqata e Pediatërve të Kosovës nuk pajtohet me shumë gjera që ndodhin dhe po ndodhin në lëmin e Pediatrisë, dhe do të mundohemi që me punën dhe fjalën konstruktive të ndikojmë në ruajtjen e disa shërbimeve, si shërbimi parësor pediatrik, avancimin e shërbimeve terciare në Klinikën e Pediatrisë, etj.
Besojmë që përvoja jonë dhe fjala e gjallë do të pranohet nga vendimmarrësit me vetëm një qëllim, ngritjen e shërbimeve pediatrike në nivelin evropian.
Si mjek të më të dashurve tanë, fëmijëve, duhet gjithmonë por edhe në këtë Kongres të manifestojmë dashuri për profesion, maturi dhe mençuri në diagnostikim dhe kujdes në trajtim. Së paku mos të dëmtojmë”, tha Bejiqi.
Pas fjalëve hyrëse u bë edhe prezantimi i dy punimeve shkencore, nga Profesor Doktor Ramush Bejiqi nga Kosova dhe Doktoreshë Vesna Miranoviq nga Mali i Zi.
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...