Google ADS

Mustafa: Pas aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit, vendi është futur në një gjendje me shumë të panjohura

22:39 | 4 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se pas propozim aktakuzës nga Specialja ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, situata në Kosovë është tjetër

Mustafa me anë të një shkrimi në facebook thotë se tani vendi është futur në një gjendje me shumë të panjohura.

“Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai në facebook, shkruan arbresh.info

Mustafa tutje ka thënë në këtë betejë duhet të jenë bashkë të gjithë në Kosovë dhe se në këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare.

Postimi i tij i plotë:

Të nderuar miq
Po e postoj tekstin e plotë, të cilin sot ia dhashë gazetarit të KTV-Së:
Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës.

Krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit sikurse edhe dhunime dhe gjenocid në Kosovë kanë kryer forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Për fat të keq, paralajmërimi i Prokurorisë së Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale flet për një betejë të gjatë të Kosovës me Serbinë, jo vetëm për tu gjykuar individë por për tu mbrojtur e vërteta historike.

Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.

Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar.

Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.
Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme