Kryetari i Lidhjes demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se rrëzimi i Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, sepse sipas tij, Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën.
Mustafa tha se në zgjedhjet e parakohshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të dalin më të mirët.
Madje, ai tha se në këtë parti nuk iu besojnë fare përrallave, duke iu referuar sondazheve të fundit që po e nxjerrin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, duke i quajtur të porositura nga kjo e fundit.
Mustafa theksoi se në zgjedhje do të hyjnë me besimin nga qytetarët për programin dhe për punën që ka bërë Qeveria Hoti.
“Unë mendoj që rrëzimi Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Nuk i ka zgjedhur Qeveria Hoti deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata i ka certifikuar një organ krejtësisht tjetër KQZ-ja. Ata kanë dhënë betimin në Kuvend. Është betuar edhe deputeti të cilit i është kontestuar vota dhe askush në atë kohë nuk ka thënë që ky nuk është deputet dhe nuk ka votë valide. Ka votuar gjithmonë dhe askush nuk ia ka kontestuar votën e tij. Prandaj nuk është kjo çështje e Qeverisë. Është dashur të jetë çështje e Kuvendit dhe e KQZ-së. Dhe në këtë rast vetëm pasojat janë në Qeverinë Hoti sepse rrjedhimisht asaj po i përfundon mandati për një shkak që nuk është pasojë e sjelljes së saj. Sa i përket zgjedhjeve unë jam shumë i bindur që ne do të dalim mirë”, tha Mustafa për Ekonomia Online.
“Si LDK nuk iu besoj fare sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti. Nëse ata gjejnë te Qeveria Hoti korrupsion do ta dënojnë Qeverinë Hoti. Nëse do ta gjejnë te Qeveria ime e vitit 2014-2017 korrupsion do të na dënojnë. Mirëpo nëse gjejnë se ne nuk kemi punuar mirë sa i përket zhvillimit ekonomik prapë mos të na japin votën, por jam i bindur që në kohën që kemi qeverisur ne si LDK edhe në periudhën 2014-2017 edhe tani vendi është ndjerë më së miri me programe ekonomike dhe me koncept të zhvillimit ekonomik”.
I pyetur se kur do të shpallë kandidaturën me emra për kryeministër të ardhshëm të vendit, Mustafa tha se nuk kanë diskutuar ende në parti.
Mirëpo ai shtoi se për fillim do të diskutohet vetëm lista e deputetëve.
“Ne nuk kemi diskutuar në asnjë rast për emra. Ne kemi akoma kryeministrin Hoti në zyre dhe ai është duke kryer punën e tij si kryeministër. Do të ulemi në parti, në Kryesi, në Këshillin e Përgjithshëm sepse është kompetencë e organeve të partisë që të diskutojmë pastaj. Së pari do të diskutojmë për listën e deputetëve. Do të diskutojmë për kriteret që ne do t’i përcaktojmë se kush mund të jetë anëtar për deputet të Kuvendit të Kosovës duke i respektuar edhe të gjitha kriteret edhe pastërtinë e figurës edhe përkrahjen qytetare dhe partiake sepse nuk do të lejojmë që nesër në Kuvend ta kemi një deputet të LDK-së i cili është në konflikt me ligjin ose që nuk i besojnë qytetarët. Mandej do të bisedojmë edhe për kandidatët e mundshëm për kryeministër”.
Sipas tij, LDK-ja e ka tërhequr Agim Veliun nga Podujeva sepse ka qenë gjatë kryetar i komunës.
“Nuk kemi biseduar që askush ta lëshojë komunën dhe poashtu nuk kemi biseduar për emrin e kryeministrit të ardhshëm. Ne me vetëdije e kemi tërhequr zotëri Veliun nga Podujeva sepse ka qenë gjatë kryetar i komunës. Sipas rezultateve nominale ne e kemi humbur Podujevën, mirëpo ne e kemi shumë të ngushtë rezultatin e periudhës së kaluar sepse ne gati të njëjtin votues i kemi. Tjetër është që Vetëvendosje ka marrë shumë vota prej partive të tjera”.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë subjekt politik, por janë të hapur për bashkëpunime.
“Ne koalicion nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik. Por ne mund të jemi të hapur siç kemi vepruar edhe vjetëve të fundit për disa subjekte politike që ata mund t’i bashkëngjiten listës tonë me disa vende nga lista prej 110 kandidatëve për deputet në mënyrë që me disa subjekte me të cilat kemi pasur bashkëpunim të mirë t’iu mundësojmë që ato të kandidojnë përmes listës tonë. Por deri më tani nuk kemi asnjë bisedë me asnjë prej subjekteve të vogla politike”.
Sipas Mustafës, LDK-ja nuk mund të vejë vija të kuqe me asnjë subjekt politik, por mund të bashkëpunojë me ata që do t’i respektojnë parimet e një partneriteti.
“Unë tani për tani nuk mund të deklarohem. Ajo që unë kam thënë dhe kam pasur reagime prej njerëzve të LDK-së dhe prej komentuesve të ndryshëm se LDK-ja nuk mund të vejë më vija të kuqe të bashkëpunimit me askënd për arsye se asnjë subjekt politik nuk është ai që do të fitojë shumicën në kuvend dhe që mundet vetë ta bëjë Qeverinë. Nuk do të mundemi edhe ne në se dalim të parët dhe nuk do të mundet edhe një subjekt tjetër politik nëse del i pari. Por ne mund të bashkëpunojmë me dikë nëse ata do ta respektojnë LDK-në dhe nëse i respektojnë parimet e një partneriteti ndryshe është vështirë të bashkëpunohet”.
Por se a do të ketë LDK-ja kandidat për president pas zgjedhjeve, ai tha se varet se kush do ta fitojë kryeministrin.
Megjithatë, Mustafa tha se është Kushtetuta ajo që përcakton zgjedhjen e presidentit, sepse nevojiten 80 deputetë në Kuvend.
“Varet se si do të dalin rezultatet nga zgjedhjet. Unë edhe atëherë do të jem për një zgjidhje e cila nuk akumulon pozitat kryesore të vendit te një subjekt politik. Pra do të shpërndahen në mënyrë që fuqia e vendosjes të shpërndahet ndërmjet subjekteve kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Varet kush do ta fitojë vendin për kryeministër, kush do të jetë ai që do ta ketë kryeparlamentarin sepse sipas Kushtetutës i takon propozimin ta bëjë partia e cila del e para dhe si do të mund të bëhet marrëveshja për presidentin për arsye se nevojiten që së paku 80 deputetë të marrin pjesë në votim me rastin e zgjedhjes së presidentit”, tha ai.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Erëra të forta e shi orët në vijim, Komuna e Prishtinës para...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?