Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të dielën gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e komunës së Kamenicës se LDK ka programin më të qartë për perspektivën zhvillimore të komunave të Kosovës, njerëzit e saj qeverisin me ndershmëri dhe janë model i sjelljes për të rinjtë.
“Njerëzit e LDK-së kanë qeverisur mirë, pa asnjë aferë korruptive, kanë punuar në të mirë të komunave të Kosovës dhe krejt Kosovës. Ne nuk përçojmë mesazhe të dhunës dhe sjelljeve vulgare, por qeverisim për të mirën e qytetarëve dhe jemi model i sjelljes për të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, LDK-ja ka hartuar programin e saj në bashkëbisedim me të gjithë brezat dhe grupet e interesit, për t’u siguruar se ai program realizon aspiratat e qytetarëve.
“LDK-ja, kur është themeluar ka pasur tre objektiva: Lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e kemi realizuar. Demokracia është një proces. Po shohim se kemi probleme, sepse ka grupe politike në Kosovë që ende nuk janë të gatshme për vlerat e demokracisë. Por, ne do të punojmë shumë për ta jetësuar edhe këtë objektiv”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se bashkimi i sa më shumë qytetarëve të Kosovës me LDK-në i garanton Kosovës përshpejtim të përmbushjes së edhe këtij objektivi nacional të Kosovës.
“Tani si LDK konsiderojmë që për ne është me rëndësi të zhvillojmë ekonominë. Shteti ka nevojë për zhvillim ekonomik e punësim dhe për integrime euro-atlantike. Nuk duam që askush ta konsideroj Kosovën si vend të izoluar. Kemi potenciale ekonomike, njerëzore dhe dije të bëhemi të barabartë me Bashkimin Evropian”, u ka thënë Mustafa të rinjve të Kamenicës.
Sipas tij, me programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik lokal, qytetarëve u ofrojmë perspektivë zhvillimore në komunën e Kamenicës dhe në tërë Kosovën.
Sipas tij, rinia e Kamenicës dhe krejt Kosovës i ka të gjitha parakushtet për të qenë të barabartë në tregun e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se kandidatura e profesor Shaip Surdullit për kryetar të Kamenicës meriton mbështetjen e të gjithë qytetarëve të kësaj komune, duke shtuar se Surdulli do të dijë të artikulojë dhe të gjejë zgjidhje për të gjitha kërkesat e qytetarëve, e veçanërisht të rinjve, me të cilët ka punuar një kohë shumë të gjatë.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, ndërkaq është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe të listës së kandidatëve të LDK-së për Kuvendin Komunal të Kamenicës.
“Arsyeja pse jam kandiduar është për të fituar dhe për të punuar për të tashmen dhe të ardhmen e Kamenicës. Ngado po shohim mbështetje për rikthimin e qeverisjes së LDK-së në komunën e Kamenicës”, ka thënë Surdulli.
Ai ka thënë se LDK e ka listën më të mirë të kandidatëve, mbi 30 për qind të rinj e të reja. “Kemi program që garanton perspektivë zhvillimore dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kamenicës.
Programi ynë për rininë ka prioritete të përcaktuara nga vet të rinjtë”, ka thënë Surdulli.
Ai ka premtuar kthimin e shpresës për qytetarët e Kamenicës, të cilët, sipas tij, janë të pakënaqur me qeverisjen e katër vjetëve të kaluara.
“Ne kemi ndërtuar partneritet me bizneset dhe arsimin, për aktivizimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për punësim. Studentët do t’i mbështesim me bursa. Kurse atyre që përfundojnë studimet do t’u mundësojmë punë praktike me pagesë për 6 muaj, në sektorin publik dhe atë privat”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli.
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...