Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale rundi i dytë i të cilave do të mbahet këtë të diel.
“Jo, edhe s’kam dashur të kyçem në mënyrë të drejtpërdrejt. Kam menduar se është më mirë që udhëheqësia e re, e cila tani ka ardhur në krye të LDK-së, të bëjë punën e vet dhe me mënyrën të cilën konsideron që është mënyra më e mirë për të arritur fitoren në disa komuna ose deri të fitorja e përgjithshme e LDK-së. E kam përcjellë me interesim mjaft të madh, sepse vetë kam qenë kryetar i një komune shumë të madhe”.
Mustafa, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën, deklaroi se nuk ka pasë kontakte me kandidatët e LDK-së në këto zgjedhje, derisa thotë se kryetarët e komunave ku ka qeverisur deri tani kjo parti duhej të fitonin.
“Komunikim të drejtpërdrejt nuk kam pasë, por kam biseduar me njerëz se si e vlerësojnë ata situatën. Ata që kanë qenë në krye të komunave deri më tani mendoj se të gjithë kanë merituar të fitojnë, sepse vërtet jam i bindur që kanë bërë një punë të madhe. Kandidatët e tjerë kanë marrë një sfidë të cilën duhet ta kapërcejnë sepse është më vështirë që të futesh drejtpërdrejt në garë, ta njohësh kërkesën e komunës ku garon dhe ta marrësh përkrahjen e qytetarëve, sepse është bërë mjaft vështirë edhe komunikimi dhe mënyra e prezantimit të ofertës për qytetarët”.
Por, si e sheh ai rrugëtimin e LDK-së pa Isa Mustafën në krye të saj?
“Unë po mundohem të shoh në një aspekt pa ngarkesa, edhe pse është vështirë njeriu kur shkon prej një vendi të mos jetë pa ndonjë ngarkesë ose dëshirë të veçantë. Mendoj se LDK-ja po shkon mirë, jam mjaft i kënaqur që është një rikthim i mirë tani në zgjedhjet lokale nga zgjedhjet e përgjithshme. Nuk e di a është shprehje e mirë të thuhet “rikthim”, sepse kemi pasë gjithmonë votë stabile në LDK – rreth 180 mijë apo 185 mijë vota qoftë në zgjedhje të përgjithshme apo ato lokale. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme e konsideroj si një lloj baloni që askush s’e priti, sepse nuk ka qenë e natyrshme që për një vit LDK-së t’i shkojnë gjysma e njerëzve dhe të votojnë për një subjekt tjetër. Është shumë mirë që pjesa dërmuese e tyre u kthyen aty ku kanë qenë dhe është krijuar një balancë e dobishme politike për vendin.
Mustafa ka treguar se pasardhësi i tij në krye të LDK-së Lumir Abdixhiku është takuar me të disa herë gjatë kësaj kohe, por thotë se s’kanë folur për zgjedhjet lokale.
“Jam takuar disa herë me të dhe kemi biseduar për situatën dhe rrethanat nëpër të cilat po kalon vendi. Nuk kam dashur ta hap shumë çështjen e LDK-së, sepse megjithatë ai duhet të ketë vizionin dhe orientimin e vet dhe ai është duke bërë ashtu në drejtimin e LDK-së. Sa i përket proceseve globale me të cilat ballafaqohet Kosova kemi biseduar, përfshirë edhe dialogun dhe disa probleme të tjera që sot janë aktuale”.
A ka diçka që Isa Mustafa do ta bënte ndryshe nga Lumir Abdixhiku në LDK?
“Është vështirë tani të them se çka duhet ndryshuar, sepse duhet ta presim edhe epilogun e zgjedhjeve lokale tani dhe të shihet se në cilat komuna po del më mirë LDK-ja e në cilat më keq. Mos të merren vendime të drejtpërdrejta ndaj atyre që dalin më keq, sepse duhet të shihen se cilët faktorë janë sepse nuk është vetëm LDK-ja në tregun politik të Kosovës dhe ndonjëherë rrethanat ndikojnë edhe pa fajin e drejtpërdrejt qoftë të kryetarit ose kryesisë së degës që ajo të mos performojë mirë. Është me rëndësi që gjërat të bëhen ngadalë dhe të vlerësohet aktiviteti i çdonjërit dhe mendoj se kjo po ndodh në LDK”.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...