Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare po e mbështesin qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Isa Mustafa tha për Gazetën Express se propozimi i kryeministrit Kurti që serbët të votojnë në Zyrën Ndërldhjëse dhe përmes postës e lejon referendumin e Serbisë.
Sipas tij, e është mashtrim i popullit nëse thuhet se kundërkushtetuese votimi përmes vendvotimeve të asistuar nga OSBE-ja, ndërsa është kushtetuese votimi në referendum për një shtet tjetër përmes Zyrës Ndërlidhëse, ashtu siç kanë deklaruar sot institucionet e Kosovës.
“Kjo është forma, me të cilën po merren institucionet tona. Nuk ndalohet referendumi nëse qeveria thotë se ata mund të votojnë përmes Zyrës ndërlidhëse; kështu vetëm se kamuflohen para qytetarëve. Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk shkruan se është kundërkushtetuese votimi përmes vendvotimeve të asistuara nga OSBE , kurse është kushtetuese votimi në referendum për një shtet tjetër përmes Zyrës Ndërlidhëse. Kjo është demagogji dhe farsë. Në fakt ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë janë çështje e shtetit serb jo e Kosovës. Është çështje e sovranitetit shtetëror të një vendi”, tha Mustafa.
Ai tha se qëndrimet e Presidentes Vjosa Osmani, Kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Kryeministrit Kurti nuk janë të qarta.
Mustafa tha se institucionet e Kosovës ishte dashur që në kohë të sqarojnë para opinionit ndërkombëtar papranueshmërinë e organizimit të referendumit për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë edhe në Kosovë dhe ta fitojnë përkrahjen e tyre.
“Institucionet e Kosovës, përkatësisht Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri nuk janë të qarta në qëndrimin e tyre lidhur me pjesëmarrjen e serbeve të Kosovës në referendumin e Serbisë. A lejohet apo nuk lejohet një referendum i një shteti tjetër në një shtet tjetër, sepse kjo është esenca. Nuk është esenciale se a do të votojnë serbet në Kosovë në vendvotime përmes OSBE-së, apo përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë; me postë apo në mënyrë digjitale”, tha Mustafa.
Ish-lideri i LDK-së tha po ashtu se as deklarata e vendeve të QUINT-it nuk është e qartë, pasi sipas tij këto vende shprehen për referendumin kombëtar të Serbisë, që në fakt është referendum shtetëror i Serbisë.
“Institucionet e Kosovës ishte dashur që në kohë të sqarojnë para opinionit ndërkombëtar papranueshmërinë e organizimit të referendumit për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë edhe në Kosovë dhe ta fitojnë përkrahjen e tyre. Deklarata e sotme e QUINT-it flet se institucionet e Kosovës nuk e kanë bërë punën e tyre. Nuk do ta bëjë as rezoluta e Kuvendit. Në vend të kësaj është e domosdoshme të bisedohet dhe të binden partnerët tanë se në Kosovë nuk duhet të mbahet referendumi serb.
Është e rëndësishme që edhe opozita të ketë kujdes në fjalorin që po e përdorë dhe në cilësimet e referendumit, sepse përmes tyre cilësohen edhe vendet e QUINT-it si mbështetëse të këtij referendumi”, tha Mustafa.
Partitë opozitare në vend i kanë dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Për kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, është antikushtetuese mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai ka deklaruar për Express se kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se partia e tij pret respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ndërkaq zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, ka deklaruar se ky referendum është përpjekje për ta ushtruar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...