Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të shtunën në Malishevë se sa i takon iniciativës së presidentit për procedimin e ushtrisë, ai shpreh përkrahjen për çdo iniciativë e cila do t’ia sigurojë ushtrinë vendit tonë në bashkëpunim me SHBA-të dhe NATO-n.
“Ne kemi përfunduar punën tonë në përmbushjen e 95 kritereve për liberalizim të vizave, 94 konsiderohen të plotësuara tërësisht, e kemi përfunduar punën edhe sa i përket matjes së territorit dhe sa i përket caktimit të vijës kufitare dhe tanimë kjo nuk është çështje e Qeverisë. Ne si Qeveri do t’ia procedojmë Kuvendit dhe mbetet përgjegjësi e Kuvendit të vendosë lidhur me këtë çështje. Është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, që njerëzit nuk e konsiderojnë që shumë e lehtë por ne jemi këtu të marrim vendim edhe më të rënda për interesat e vendit tonë”, tha Mustafa.
Ai këto komente i bëri në praninë e qindra qytetarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Malishevë, në shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në këtë qytet.
Duke uruar përvjetorin e 27-të, Mustafa, ka përkujtuar presidentin Ibrahim Rugova dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në shtet-ndërtimin e Kosovës.
“Unë konsideroj se pa LDK-në nuk do ta kishim sot një Kosovë të lirë, demokratike, të njohur dhe të pranuar nga 114 shtete, një Kosovë e cila është garanci e paqes dhe sigurisë, një Kosovë e cila po tregon rezultate shumë të mëdha në shumë fusha, edhe në fushën ekonomike, në fushë politike edhe në aspektin e zhvillimit demokratik edhe në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin e përgatitjeve tona për anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB”, tha Mustafa.
Lideri i LDK-së, po ashtu, tha se kjo parti do të vazhdojë të punojë që ta përgatisë Kosovën që të jetë vend, i cili do të dëshmojë vlerat e saj në të gjitha këto institucione.
“Ne vlerësojmë se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe në NATO së bashku më Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ne besojmë po ashtu se Kosova e ka vendin në Kombet e Bashkuara, në organizatën e të gjitha kombeve sepse kemi vlera dhe kemi çka të këmbejmë në këtë organizatë”, tha Mustafa.
Mustafa tha se për LDK-në nuk ka interesa të veçanta dhe se LDK e ka vetëm një interes, realizimin e programit politik të saj për ruajtjen e unitetit, përmbushjen e objektivave, për qeverisje të mirë, të pastër, për qeverisje në interes të qytetarëve dhe me besimin e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, në fjalën e tij tha se Dega e LDK-së në Malishevë edhe sot e kësaj dite i qëndron besnik rrugës së trasuar nga presidenti historik dhe arkitekti i Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ndryshe, gjatë këtij tubimi janë dhënë mirënjohje për veprimtarët shumëvjeçar të LDK-së në Malishevë.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...