Mustafa: Koalicioni PAN shkeli kushtetutën

22:33 | 28 Qershor 2019
A. B.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka goditur partitë në pushtet, të premten.

Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare në vend i ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate e partitë e tjera në qeveri për shkeljen e Kushtetutës.

Deklaratën për koalicionin PAN, që udhëheq qeverinë e vendit, Mustafa e ka bërë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur antikushtetues delegacionin shtetëror për bisedime me Serbinë, të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Ky delegacion ishte krijuar me synimin për t’ia kufizuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kompetencat në negociata me palën serbe, të cilat atij ia kishte deleguar kryeministri Ramush Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit kishte deklaruar se ishte mjaft i angazhuar me punë të brendshme, dhe s’kishte mjaftueshëm kohë për t’u marrë siç duhet edhe me dialogun me fqinjin verior.

Kryetari i LDK’së e ka goditur qeverinë për shkeljen e kushtetutës gjatë një takimi me Kryesinë dhe me kryetaret e Degëve të Forumit të Gruas së LDK’së.

Me gratë e partisë, Mustafa ka biseduar për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon vendi.

Partia e Mustafës ka ngurruar deri më tani të paraqesë një mocion për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, duke këmbëngulur që opozita duhet të presë derisa t’i sigurojë votat e mjaftueshme që një nismë e tillë të realizojë e suksesshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme