Mustafa insiston se brenda Policisë ka elemente korruptive

18:08 | 23 Shkurt 2017
Arbresh.info

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa nuk i bie pishman për deklaratat e tij dhënë për Policinë e Kosovës. Ai vazhdon të insistoj se brenda Policisë ka elemente korruptive dhe se këtë e dëshmon arrestimi i 59 zyrtarëve policor javë me parë. Megjithë, thekson se ai po flet për dukurinë dhe jo për raste individuale.

Numri dy i MPB-së, thotë se vet fakti që janë arrestuar 59 persona në katër drejtori, dëshmon se elemente korruptive në PK janë prezentë, porse pjesa më e madhe janë njerëz të ndërgjegjshëm, profesional dhe nuk janë të përfshirë në dukuri korruptive.

 

“Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ngrisim si shqetësim dhe si çështje që duhet hapur tema e diskutimit se sa është prezent korrupsioni brenda PK-së”, tha Mustafa për KosovaPress.

Ai ka kërkuar edhe përgjegjësi nga eprorët e zyrtarëve policorë të arrestuar, duke thënë se ata i janë përgjigjur hierarkisë komanduese.

 

“Arrestimin e këtyre 59 zyrtarëve të PK-së e kam shtruar edhe nga një dimension tjetër, nga shtrimi i përgjegjësisë menaxheriale të PK-së, sepse mendoj edhe sot se duhet të ketë përgjegjësi menaxheriale në PK, ndaj arrestimit të atyre 59 policëve. Ata do të japin përgjegjësi penale, mirëpo, dikush duhet të jep edhe përgjegjësi menaxheriale, sepse në fund të fundit në hierarkinë komanduese, ata policë i janë përgjigjur dikujt dhe pastaj zhvillohen hetimet dhe shikohet nëse eprorët e tyre sa kanë qenë të njohur me faktin se policë të tillë kanë qenë të zhytur në korrupsion, sa kohë ka zgjatur kjo, po të kishin vepruar më herët eprorët e tyre, a do të eliminohej kjo dukuri”, theksoi ai.

Mustafa ka insistuar se është fakt i mjaftueshëm arrestimi i atyre 59 policëve për të kuptuar se ka elemente korruptive brenda PK-së, por thekson se fakte tjera ka vet Policia dhe se nga ai nuk duhet kërkuar fakte, meqë nuk ka folur për raste individuale por për dukuri.

 

“PK nuk ka të drejt që të kërkoj fakte prej meje publike, sepse unë i di përgjegjësitë e mia si zëvendësministër dhe unë diskutoj për dukuritë. Obligimi im është që të diskutoj për dukuritë e jo rastet individuale, përndryshe çdoherë çdo aksion që është bërë nëpër kazino, në diskoteka ku janë kërkuar lëndë narkotike, vet drejtoritë përkatëse kanë hasur në shumë kolegë të tyre që kanë qenë brenda ati institucioni, qoftë duke kaluar kohën e lirë, apo duke qenë pjesë e sigurimit të atyre objekteve, prandaj PK i ka faktet dhe duhet të marrin veprime”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, PK-ja i ka faktet vet, pasi në shumë aksione të zhvilluara ka hasur në pjesëtarë të saj nëpër kazino, diskoteka apo objekte tjera.

 

“Unë nuk e kam kuptuar reagimin aq arrogant të PK-së, një reagim të bërë në orët e vona të natës sikurse të ishte fjala për ndonjë çështje emergjente që ka të bëjë me Republikën e Kosovës. Unë kam shkruar edhe për gjëra të tjera që përfliten, kur them përfliten flas për ato që janë shkruar edhe nëpër media, që i kanë thënë shoqëria civile. Kam shtruar edhe çështjen se flitet se ka shumë zyrtarë policorë të cilët luajnë rolin e sigurimit, ose diskotekave, që vet PK-ja ka deklaruar se janë përdorur në ato diskoteka lëndë narkotike ose shitje të miturve lëndë alkoolike që është e ndaluar dhe policët që nuk janë në detyrë e kanë për detyrë t’i denoncojnë. Ose kam thënë se ka zyrtarë policorë për të cilët flitet se janë frekuentues të kazinove dhe të cilët shpenzojnë shuma marramendëse të parave që janë në kundërshtim me të ardhurat e tyre nga pagat”, ka shtuar Mustafa.

Ai shton se ka ngritur disa çështje për të cilat mendon që PK duhet të hap debat, meqë kanë përgjegjësi pastrimin e PK-së për hirë të asaj pjese të madhe që është e sinqertë në punën e saj që bënë.

Për tema të tilla, Mustafa thotë se ka biseduar edhe më herët me drejtuesit e PK-së, me shumicën prej të cilave, janë pajtuar menaxhmenti i Policisë.

 

“Natyrisht se kam diskutuar këto disa herë me zyrtarët me të lartë të PK-së dhe natyrisht ata shpesh herë janë pajtuar me dukuritë të cilat janë prezentë. Natyrisht e kam diskutuar edhe me ministrit dhe do ta diskutoj përsëri me të vetmin qëllim që përmes hapjes së këtyre debateve t’ia lehtësojmë PK-së në marrjen e masave dhe në ndarjen të pjesës së shkëlqyeshme të PK-së dhe pjesë së inkriminuar në korrupsion”, shtoi Mustafa.

Zëvendësministri i MPB-së, ka thënë se hapja e një debati të tillë nuk është politik, sepse Policia e Kosovës nuk është e asnjë partie, por e qytetarëve të Kosovës, të cilët vazhdimisht kanë treguar shkallë të lartë të besueshmërisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme