Gjykata e Apelit mori vendim që gjykimi ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve të tjerë të vazhdojë.
Pavarësisht kërkesave të mbrojtjes, Apeli vendosi që gjykata e shkallës së parë të vazhdojë më tutje me procedim penal dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngarkuar Mustafën dhe 38 të akuzuarit e tjerë me veprat penale-krim i organizuar, keqpërdorim i pozitë zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.
Lidhur me vendimin e Apelit, Indeksonline ka kontaktuar ish-kryetarin e Gjilanit nga radhët e PDK-së, Qemajl Mustafa.
Ai ka deklaruar se tashmë ka marrë vendimin e Gjykatës së Apelit, e që sipas tij procesi që nga hetimet e deri këtu, është politik.
“Procesi që nga hetimet e deri këtu është politik, denigrues, diskreditues e persekutues dhe assesi ndryshe. Në Gjilan për 6 viteve te qeverisjes time nuk kishte as ide për të shmangur një cent të taksapaguesve e aq më pak me i shku mendja dikujt me zhvatë e me organizu krim. Është pikërisht e kundërta. Strukturat e krimit, të rreshtuara mirë në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe deri tek Prokuroria Speciale në Prishtinë në bashkëpunim me pjesën kriminale të policisë së Kosovës, janë e keqja e madhe e këtij vendi. Ata përditë nisin hetime, akuzojnë, përdhosin e baltosin njerëz të ndershëm, punëtorë të mirë e profesionistë të spikatur. Detyrë e parë e tyre është me u lëshu rrugë matrapazëve e planprishësve brenda e jashtë formacioneve të caktuara politike, por edhe biznesore”, ka thënë Mustafa.
Sipas të njëjtit, strukturat janë të lidhura me eksponentë të politikës, duke përmendur këtu Prokurorinë dhe të parin e Gjilanit, Lutfi Hazirin.
“Komandanti i policisë në Gjilan është bërë hija e kryetarit Haziri vend e pa vend qoftë në vizita e promovime zyrtare, qoftë në ndeja private nëpër kafenet e qytetit. Vetë fakti që 16 shtatori i vitit 2016 kur edhe është ngritë aktakuza, ende nuk ka filluar proces por Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit luajnë (ping-pong) njëra me tjetrën me vendime të cilat na i morën deri sot 2 vite e gjysmë të jetës normale neve 39 të akuzuarve dhe familjeve tona poashtu. Është ky njeri nga cenimet tepër të rënda që u bëhet të drejtave tona njerëzore, të punës, familjare e politike poashtu. Të gjithë e dijmë se procesi është i montuar politikisht dhe që qarku i caktuar i politikës në Prishtinë e Gjilan e ka bërë këtë aktakuzë për mënjanimin tim nga PDK dhe konkurrenca politike në Gjilan”, shtoi Mustafa.
Sipas tij, dikujt i ka penguar shumë suksesi 6 vjeçar në Gjilan dhe kësisoj nuk donin që të vazhdonin me ndërtimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të këtij qyteti.
“Të paditurit dhe makro zhvatësit deshën që të na mbanin nën kthetra e nën kontroll, por nuk ia dolën. Populli në Gjilan e njeh fortë mirë punën dhe përkushtimin tonë për komunën dhe shtetin. Nuk do të dorëzohem para këtij shantazhi dhe linçimi sikur që nuk kanë me u dorëzu as 39 të tjerët që padrejtësisht janë akuzuar dhe do t’i përgjigjemi me kohë dhe fakte si përherë sistemit të drejtësisë sado i padrejtë që është ai. Do të vazhdojmë me punë në politikë dhe kudo që e lyp puna në jetën publike për shoqërinë e Kosovës”, tha Mustafa.
Ish-kryetari i Gjilanit i cili tashmë akuzohet për vepër penale, tha se e mira përherë ka me e mund të keqen qoftë ajo e vonshme dhe me shumë sakrifica.
“Në Kosovë patjetër ka me ndodhë vetingu dhe reformat e thella në të gjithë sektorët e shtetit. Prej sot po ndjej keqardhje për katandisje që ka me u ndodhë shumicës së këtyre prokurorëve, gjyqtarëve e policëve. Unë dhe stafi im i besojmë lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, që të dyja këto vlera sublime do ta fitojnë fuqinë e tyre të plotë në kushte plotësisht ligjore demokratike dhe në shërbim të qytetarëve, pa dallim social, politik dhe të besimit të racës”, ka përfunduar Mustafa./I
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...