Mustafa e çon në Kushtetuese vendimin përfundimtar të Supremes e cila la në fuqi dënimin prej 15 vjetësh burgim

14:39 | 25 Prill 2025
E.K

Salih Mustafa ka bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kundër vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme të 25 shkurtit 2025 e cila la në fuqi vendimin e Apelit me ç’rast ai u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte.

Duke u fokusuar në kronologjinë e rastit, Salih Mustafa në shkallë të parë më 16 dhjetor 2022 ishte shpallur fajtor për krime lufte dhe ishte dënuar me 26 vjet burgim.

Pasi ai apeloi vendimin, me 14 dhjetor 2023 u shpall aktgjykimi ndaj tij ku konfirmoi fajësinë e tij por e reduktoi dënimin në 22 vjet burgim.

Por, me 29 korrik 2024, Supremja e anuloi aktgjykimin e Apelit sa i takon dënimit dhe e ktheu çështjen në rishqyrtim të një dënimi të ri për Mustafën.

Si rrjedhojë, për herë të dytë, Apeli me 10 shtator 2024 e zbatoi standardin që ia kishte përcaktuar gjykata Supreme për dënimin dhe e reduktoi dënimin ndaj Mustafës në 15 vjet burgim.

Me 9 dhjetor 2024, Mustafa kishte parashtruar në Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë sërish por me 25 shkurt 2025, kjo gjykatë e kishte lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Andaj, kërkesa e Mustafës në Kushtetuese ka të bëjë me vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme, shkruan Betimi për Drejtësi.

Në ankesën e tij të dorëzuar me 24 prill 2025, Mustafa thotë se iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.

Mustafa pretendon se Apeli kur e shpalli dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e korrigjoi këtë gabim por e refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes.

Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.

Mbrojtja e Mustafës thotë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.

Sipas mbrojtjes, proprcionaliteti ka të bëjë me shkallën e dënimit dhe jo me dënimin në përgjithësi.

Ata thonë se në konceptin e ‘dënimit të përgjithshëm’ ka një numër faktorësh tradicional që duhet të merren parasysh kur shqyrtohet dënimi abstrakt nga një autoritet gjyqësor. Sipas tyre, faktor tradicional duhet janë ashpërsia e krimit, fajësia e kryerësit, rrethanat lehtësuese dhe renduese lidhur me kryerësin, frikësimi dhe rehabilitimi.

Ndërsa, sipas tyre proporcionaliteti nuk ka të bëjë me faktorët e mësipërm dhe duhet të përcaktohet në momentin kur gjyqtaret shqyrtojnë një dënim të veçantë për një krim të caktuar.

Mbrojtja thonë se Apeli nuk e ka aplikuar çështjen e proporcionalitetit dhe Supremja e ka refuzuar argumentin e mbrojtje së lidhur me këtë pjesë.

Mbrojtja kërkon që autoritetet gjyqësore, kur vendosin për një dënim, duhet të mendojnë se ky dënim nuk duhet të kalojë një “standard” të caktuar, i cili bazohet në kohën kur krimi është kryer. Ky standard sipas tyre i proporcionalitetit është thelbësor për të siguruar që dënimi të jetë proporcional me krimin e kryer.

“Standardi që do të aplikohet përfundimisht duhet të bazohet në periudhën kohore në të cilën është kryer krimi dhe në praktikën e dënimit që ka ekzistuar në atë periudhë kohore”, thuhet në ankesën e Mustafës.

Mbrojtja thotë se DhSK-ja si një autoritet që bie në Kushtetutën e Kosovës duhet të pranojë që me 1999-ën Kosova ishte ende pjesë e Jugosllavisë dhe si rrjedhojë duhet të njihen praktikat e dënimeve për vrasje në atë kohë.

“Për të shmangur më tej arbitraritetin e një dënimi, duhet të merret parasysh një faktor shtesë. Ky faktor është ajo që është konsideruar si një dënim proporcional për atë krim, siç është kryer, në atë periudhë kohore”, thuhet në kërkesë.

Sipas mbrojtjes, dënimi prej 15 vjetësh ndaj Mustafës është i papërshtatshëm dhe se argumenti i Apelit për proporcionalitetin sipas tyre ishte i pamjaftueshëm.

Ata thonë se Supremja duhej të kishte vendosur mbi këtë çështje duke dhënë një udhëzim ligjor të qartë për këtë pjesë.

Në fund, Mbrojtja argumenton se çdo vendim për dënim duhet të bazohet në një standard ligjor dhe se ky standard ka munguar në të dy vendimet.

“Mbrojtja parashtrojnë se niveli i dënimit të Mustafa-s (dënimi i vendosur) nuk është i justifikuar, pasi nuk i përputhet parimit të proporcionalitetit sipas kuptimit të Nenit 33 (3) të Kushtetutës”, thuhet në kërkesë.

Duke e quajtur vendimin me 15 vjet burg për Mustafën si arbitrar dhe të paqëndrueshëm, mbrojtja kërkoi nga Kushtetuesja që t’i jepet e drejta në këtë kërkesë dhe të kthej në rigjykim çështjen në panelin përkatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm