Google ADS

Mustafa: Demarkacioni votohet sipas Marrëveshjes së Parë, kauza e Haradinajt ishte fiktive

11:42 | 17 Shkurt 2018
Arbresh.info

Ish kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i LDK’së, e ka mirëpritur nismën për ta rishikuar marrëveshjen për Demarkacionin.

Por thotë se kjo çështje deri më tani ishte një kauzë fiktive politike e atyre që e refuzuan marrëveshjen ekzistuese, për të cilën Mustafa edhe ishte rrëzuar nga Qeveria.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, përbën të arriturën më të madhe të popullit të Kosovës pas 100 vjet përpjekjesh të gjithanshme për liri.

Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave dhe përkushtimit të paepur të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës, të artikuluara në nivelin më të lartë gjatë rezistencës gjithëpopullore të prirë nga Arkitekti i Pavarësisë, Ibrahim RUGOVA, e cila u pasua me luftën çlirimtare të prirë nga Komandanti Legjendar, Adem JASHARI.

Republika e Kosovës është sot shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 117 shtete dhe me perspektivë të qartë integruese në familjen evropiane dhe në NATO, si procese të paalternativa për Kosovën.

Është lajm i mirë që Kosova tashmë po e përmbyll procesin e demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë, e zvarritur padrejtësisht deri tani, për një kauzë fiktive politike.

10 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën me të arritura evidente por edhe ngecje në disa drejtime. Por, vitaliteti, përkushtimi, atdhedashuria dhe vendosmëria e popullit të Kosovës janë garanci për një të ardhme më të mirë.

Mirënjohje të posaçme për atë që kemi arritur meritojnë partnerët tanë euroatlantikë, SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike, pa përkrahjen e të cilave, Kosova nuk do të ishte ku është sot.

Urime 10 vjetori i Pavarësisë!

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës!

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme