Google ADS

Mustafa: Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Doganave ndihmon zhvillimin ekonomik

14:54 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Kosova bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Doganave. Për të treguar më shumë rreth këtij anëtarësimi kryeministri Isa Mustafa ka dalë në një konferencë për media së bashku edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.


Në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha, kryeministri Mustafa tha se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën.

“Anëtarësimi në këtë organizatë është tepër i rëndësishëm për anëtarësimin tonë të mëtutjeshëm në organizatat e jashtme. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë, e mundëson që dogana e Kosovës të merr pjesë si anëtare, me të drejta të plota. Anëtarësimi në konventa dhe instrumente tjera ndërkombëtare, ndihmon në tregtinë me shtetet e tjera, asiston në shkëmbimin e informatave dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, lufton piraterinë, ekonominë jo-formale, ndihmon në forcimin e kapaciteteve doganore, luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitimeve tjera”, tha Mustafa.

Më tej, kryeministri Mustafa ka vlerësuar punën e Ministrisë së Jashtme dhe ministrit Hoxhaj në këtë drejtim, duke uruar njëkohësisht Doganat e Kosovës, punonjësit e saj dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë të arritur mjaft të rëndësishme.

Kryeministri Mustafa ka falënderuar po ashtu Qeverinë Belge dhe shumë shtete mike për përkrahjen e dhënë që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, theksoi dy sukseset e mëdha që ka arritur Kosova këtë javë në politikën e jashtme. Ai ka përmendur njohjen e pavarësisë nga Bangladeshi si dhe anëtarësimin në Organizatën Botërore të Doganave.

“Ju e dini që politika e jashtme dhe tregtia e jashtme shkojnë së bashku dhe është një lajm ku Kosova realisht bëhet pjesë e 181 administratave doganore dhe e 98 për qind të tregtisë botërore, që do të thotë se është një arritje shumë e madhe. Qëllimi ynë është që përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e kësaj natyre, ne mbi të gjitha synojmë që t’i përmbushim kërkesat tona të brendshme. Pra, qëllimi ynë që ta ndjekim një politikë të jashtme, e cila i përmbush nevojat e brendshme, kërkesat e brendshme dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i raporteve tregtare mes Republikës së Kosovës me vendet tjera si dhe roli që mund ta ketë një anëtarësim i tillë në parandalimin e fenomeneve si terrorizimi, ekonomia joformale, janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm, po ashtu, foli për punën e gjatë që është dashur deri në arritjen e mbështetjes së shumë shteteve anëtare, duke falënderuar në veçanti Belgjikën, ministrin e Jashtëm belg, Didier Reynders dhe shumë diplomatë belgë dhe të shteteve tjera mike të cilët kanë pasur një rol vendimtar në mbështetjen e Kosovës, që të bëhet anëtar i plotë i kësaj organizate.

Hoxhaj, tha me këtë rast se Doganat e Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës, janë prej institucioneve më të mira që ka Republika e Kosovës dhe krejt Evropa Juglindore.

Sipas tij përkundër vështirësive për sigurimin e votave, për diplomatët kosovarë ka qenë një punë e lehtë që të binden shtetet anëtare për shkak të punës brilante që po bën ky institucion në kufijtë e Republikës së Kosovës.

“Pas FMN-së, kjo është organizata e dytë më e rëndësishme për nga anëtarësia, ndërsa unë dëshiroj t’ju them që me mbështetjen e kryeministrit Mustafa, nën lidershipin e tij, ne do të bëjmë përpjekje që gjatë këtyre muajve të ardhshëm të kemi edhe anëtarësime të tjera”, tha ministri Hoxhaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme