Mustafa: 29 vjet pas referendumit, statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës akoma i pazgjidhur

11:43 | 2 Mars 2021
V. S.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, ka kujtuar 29-vjetorin e Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Mustafa thotë se 1 dhe 2 mars janë datat më të shënuara të historisë së vonshme në Luginën e Preshevës dhe se referendumi ’92 është pikëtakimi i organizimit popullor dhe përcaktimit politik të ardhmes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Postimi i plotë:

REFERENDUMI ’92 MODEL I ORGANIZIMIT POLITIK GJITHËPOPULLOR

1 dhe 2 marsi janë datat më të shënuara të historisë së vonshme në Luginën e Preshevës. Referendumi ’92 është pikëtakimi i organizimit popullor dhe përcaktimit politik të ardhmes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Viti 1992 është kthesa më domethënëse për liri e barazi qytetare. Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Referendum për autonomi territoriale politike të shqiptarëve me të drejtë bashkimi me Kosovën është platforma për realizimin e drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Patjetër se është modeli i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të forcave politike e intelektuale, tashmë skajshmërisht të fragmentarizuar politik në Luginë. Ky akt i lartë qytetar është udhërrëfyesi më i mirë i unitetit në veprim e organizimit gjithëpopullor.

Në përvjetorin e 29 të Referendumit, statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbetet akoma i pazgjidhur.

Kosova duhet të marrë përgjegjësinë dhe duhet ta shtroj për zgjidhje çështjen e Luginës së Preshevës në dialogun Prishtinë-Beograd duke respektuar aspiratën plebishitare të Referendumit.

Faleminderim e mirënjohje të përjetshme për vizionin dhe organizimin, gjithë atyre grave dhe burrave që patën kurajon edhe nën kërcënimin edhe me jetë i dhanë shpres Luginës së Preshevës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme