Google ADS

Musliu: Nuk frikësohem nga burgjet e Serbisë, po më persekutojnë politikisht

15:05 | 27 Korrik 2017
Arbresh.info

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu dënimin ndaj tij me 40 ditë burgim nga Gjykata e Beogradit, e konsideron të motivuar politikisht dhe skandaloz.

Musliu në një intervistë për arbresh.info ka thënë se është dënuar nga një shtet policor, që sipas tij, po i bëjnë presion që të heq dorë nga funksionet që ai i ka.

“Sistemi i drejtësisë në Serbi, nuk është i pavarur, ai, dirigjohet nga strukturat shtetërore. Prandaj, vendimi i Gjykatës së Beogradit, është i motivuar politikisht, i padrejtë, madje skandaloz dhe cinik. Ne jemi mësuar me ultimatumet e gjykatave serbe, të cilat gjobitin shqiptarët, duke i burgosur edhe me vuajtje të dënimit, në mungesë të shlyerjes, kinse të borxhitit ndaj shtetit serb.”

Sipas tij një vendim i tillë i gjykatës serbe, është i orkestruar mirë nga qarqet politike shtetërore, të cilat thotë se “ka kohë, që merren me mua, subjektin politik që drejtoj dhe funksionet e dy organeve më të larta legjislative siç është Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Kuvendi komunal i Bujanocit.”

“Ky shtet policor i Serbisë, me gjyqe e mekanizma të tjerë ligjorë, po mundohen të bëjnë presion ndaj meje, që të heq dorë nga funksionet, të cilat i drejtoj me votën e popullit dhe konsesusin e spektrit politik shqiptar, por rruga ime politike dhe institucionale, është më e vjetër se kjo e Vuçiqit, bile edhe më e egër dhe më e vrazhdë si ajo e Millosheviqit,” ka thënë Musliu në një intervistë për arbresh.info.

Pavarësisht presioneve, Musliu ka thënë se nuk do të heq dorë nga politika.

“Unë, pavarësisht, këtyre presioneve, nuk heq dorë nga rruga ime politike dhe institucionale, për të cilën kam dhënë betimin dhe angazhohem në suaza të kompetencave që gëzoj, për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në këto hapësira”.

Ai ka theksuar se shqiptarët në Serbi nuk i kanë as të drejtat elementare që i kanë të garantuara me Kushtetutën e këtij stetit. Ndërsa ka thënë se nuk mund të bëhet krahasim në mes të drejtave të serbëve në Kosovë, me të shqiptarëve në Serbi.

Musliu është ankuar në shtetin serb se shqiptarëve ua ka kufizuar edhe qarkullimin e lirë në zonat kufitare dhe ua ka pamundësuar integrimin.

“Nuk mund të tërheqim një paralele mes të drejtave të serbëve në Kosovë e Shqipëri, me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Derisa serbët në Kosovë sillen me standard të dyfishta, shqiptarët në Luginë të Preshevës, nuk i gëzojnë as ato të drejtë, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e shtetit ku jetojnë dhe as me konventat ndërkombëtare.”

Serbia, është i vetmi shtet në Ballkan, i cili nuk e ka të rregulluar me ligj, përdorimin e lirshëm të simboleve kombëtare dhe zbatimin në praktikë të dygjuhësisë për shqiptarët. “

“Jo vetëm kaq, ajo, me metoda më barbare pengon qarkullimin e lirë të shqiptarëve në zonat kufitare, pamundëson integrimin e tyre në organet komunale dhe shtetërore, pengon donatorët e huaj të investojnë në Luginë, për zbutjen e varfërisë ekstreme, bllokon depërtimin e teksteve shkollore dhe nuk lejon nostrifikimin e diplomave nga Kosova. Këto janë ato fakte, që të drejtat e shqiptarëve në Serbi, nuk mund të krahason as për së afrëmi me të drejtat e serbëve në Kosovë dhe në Shqipëri”, ka thënë Musliu për abresh.info.

Musliu ka thënë se do të konsultohet me kryesinë e partisë që drejton, për hapat e mëtutjeshëm se si do të veprojë, në lidhje me dënimin që ka marr nga Gjykata e Beogradit.

Ai ka thënë se Beogradi me padurim pret që ta burgos, por Musliu ka theksuar se nuk ua ka frikën, sepse ka qëndruar nëpër burgjet e Serbisë gjatë.

“Meqë kjo gjobë e gjykatës serbe, nuk ka të bëjë me mua vetëm si person fizik, por edhe juridik, do të konsultohem me kryesinë e partisë që drejtoj, për tejkalimin e kësaj padrejtësi. Beogradi dhe sistemi i saj gjyqësor, duke llogaritur edhe udhëheqësin shtetërore, mezi presin të më fusin një ditë në burg e lëre më me javë të tëra. Nëpër këto burgje të Serbisë, kam kaluar me vite të tëra e nuk më kanë friksuar nga misioni im, ideali dhe përkushtimi për kauzën kombëtare, prandaj edhe kjo do të kalojë”, ka deklaruar Musliu.

Më herët Musliu ka përkrahur deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për krijimin e Shqipërisë së Madhe ku nxiti reagime edhe në Serbi. Musliu vazhdimisht ka qenë kritik sa i përket angazhimit të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare rreth të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës./Blerta Agushi/Arbesh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme