Musliu: Në bazë të ligjit në asnjë pikë nuk ka pse të takohet drejtori i AKI-së me përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese

16:09 | 19 Prill 2023
E.H

Kreu i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, është ftuar të raportojë lidhur me dyshimet për takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ftuar kreun e AKI-së që më 28 prill të raportojë para këtij Komisioni rreth dyshimeve për takimin e tij me kryetaren e Kushtetueses, Gresa Caka-Nimani dhe dyshimet për shantazh.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu për Arbresh.info tha se

“Dyshimet siç kanë dal në media, i kemi edhe ne, por nuk kemi një deklaratë zyrtare drejtuar Komisionit nga drejtori i AKI-së. Si Komision kemi organizuar menjëherë ftesën, që drejtori i AKI-së të vjen të raportojë në Komision lidhur me opinionet që kanë dalur në publik, në mënyrë që të sqarohet opinioni. Keni dërguar ftesën që ai të vije më 26 prill, ditën e mërkurë, sepse fakti që patëm disa festa zyrtare, na pamundësoi një afat më të hershëm dhe nga drejtori kemi marrë përgjigje që me këtë datë nuk do jetë në Kosovë, duke na dërguar si alternativë që nga 28 prilli do të mund të jetë prezent”, tha Musliu.

Sipas saj, Komisioni do t’i adresojë sërish një kërkesë shefit të AKI-së që ai të raportojë nëse është takuar me ndonjë zyrtarë të Kushtetueses dhe për çfarë është biseduar në atë takim.

“Kështu që ne si Komision sot do t’ia adresojmë ftesën tjetër dhe kërkesën që ai të paraqitet më 28 prill para Komisionit dhe të na informojë në detaje nëse një takim i tillë ka ndodhur dhe çfarë është diskutuar në atë takim”, ta ajo për Arbresh.info.

Sipas Musliut, në bazë të ligjit këto dy institucione nuk kanë pse të takohen.

“Në bazë të ligjit dhe juridiksionit bashkëpunimi, ose përshkrimi i detyrave të këtyre dy institucioneve nuk përputhet në asnjë pikë dhe nuk ka pse të takohet ligjërisht drejtori i AKI-së me përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, apo kushdo qoftë nga kjo gjykatë”, tha Musliu.

Ndryshe, sipas raportimit të Paparaci.com, dyshohet se në këtë takim, shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka, i cili siç përshkruhet në informatë, përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi raportohet se kishte ndodhur më 31 mars të këtij viti në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.

Ndërkohë, sot Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka cilësuar shqetësues takimin e dyshuar mes shefit të inteligjencës, Petrit Ajeti dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

KMDLNj-ja ka thënë se nëse vërtetohen veprimet e shefit të inteligjencës, ky rast paraqet rrezik për sigurinë fizike dhe shtetërore./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme