Musliu: Gjendja e sigurisë e qetë, të jemi të kujdesshëm në veprime

12:17 | 9 Nëntor 2022
L G

Gjendja e sigurisë në veri është e qetë, por me mundësi përshkallëzimi. Ky ishte konstatimi i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pas raportimit të sotëm para këtij komisioni të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti.

Si zakonisht raportimi i drejtorit të AKI-së u mbajt me dyer të mbyllura, teksa u diskutua gjendja e sigurisë, veçmas në veri, pas dorëheqjeve të policëve dhe gjykatësve serbë nga institucionet e vendit.

Pas këtij takimi, në emër të këtij komisioni, para mediave u deklarua deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo theksoi se në këtë takim u informuan mbi gjendjen reale e cila po mbretëron në veriun e Kosovës.

“Në bazë të asaj çfarë dëgjuam nga drejtori i AKI-së, gjendja e sigurisë në veri dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe të gatshme për çdo provokim të mundshëm të situatës dhe për çdo veprim që kërkohet në bazë të rrethanave”, ka theksuar Musliu.

Ajo tutje ka thënë se në këtë situatë kërkohet bashkëpunim dhe bashkërendim i veprimeve ndërmjet institucioneve, teksa ka pasur edhe një apel për mediat.

“Ju apeloj që t’i shmangeni sa më shumë dezinformatave të cilat dalin nga mediat armiqësore. Na rastisë shumë shpesh që të biem pre e lajmeve të rrejshme dhe propagandës, gjë e cila e dëmton fushëveprimtarinë e institucioneve të sigurisë në vend”, ka shtuar Musliu.

Ajo ka thënë se si Komision parlamentar janë unik në qëndrimet e tyre, teksa i ofruan mbështetje të plotë drejtorit të AKI-së për situatën e krijuar në vend.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e AKI-së dhe të këtij komisioni, ne do të jemi të kujdesshëm në deklarata për të mos i dëmtuar proceset që janë duke u zhvilluar. Gjithsesi, duhet të jemi vigjilent, të jemi të matur në çdo veprim që bëjmë atje për të mos provokuar situatën. Deri më tani çdo gjë është nën kontroll dhe është duke funksionuar”, ka nënvizuar Musliu./arbresh.info/

 

Të ngjashme