Mushkolaj: Vizita e Vuçiqit në Kosovë, kthim prapa për institucionet e Kosovës

17:19 | 19 Janar 2018
M. A.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë, që do të mbahet gjatë ditës së nesërme.

Nga analistë, politikanë e qytetarë kjo vizitë po komentohet në mënyra të ndryshme, dhe për qëllime të ndryshme.

Institucionet e Kosovës lidhur me këtë kanë thënë që vizita e Vuçiq do të jetë brenda kornizave të një vizite normale, dhe nuk do të ketë thyerje të rregullave apo deklarata nxitëse.

Mirëpo, njohësi i çështjeve politike si dhe analisti politik, Imer Mushkolaj, gjatë ditës së sotme ka thënë për lajmi.net se kjo vizitë është më shumë për përfitime politike të Vuçiqit se sa që do të kontribuojë në zbardhjen e rastit të vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

“Vizita e Presidentit Vuçiq në Kosovë është më shumë një vizitë për përfitime politike të tij, se sa që do të kontribuojë në zbardhjen e vrasjes, atë që do duhej të bënin liderët e Kosovës tani po e bën Vuciqi”, thotë Mushkolaj.

Mushkolaj shtoi se institucionet e Kosovës do të duhej t’u qëndronin afër qytetarëve serb dhe nuk duheshin që një gjë të tillë t’ua lënë në dorë Beogradit.

“Pas rastit që ka ndodhur, që nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari do duhet të ju qëndronin afër serbëve të Kosovës, ti vizitonin ata, dhe në njëfar mënyra të jepnin mesazhin që Kosova di si të sillet”, shton Mushkolaj.

Mushkolaj mendon se lejimi për vizitën e Vuçiqit në këtë kohë është i gabuar nga Institucionet e Kosovës.

“Vet ideja që këta kanë lejuar Vuçiqin në një situatë kaq të vështire të vijë në Kosovë dhe të sjellë mesazhe që i shkojnë vetëm atij për shtati sa i përket zgjidhjes së problemit, besoj që ka qenë e gabueshme dhe nuk do duhej të kishte ndodhur kështu”, tha Mushkolaj për lajmi.net

Sa i përket lejes së institucioneve Kosovare dhënë Presidentit Vuçiq për vizitën e tij në Kosovë, Mushkolaj thotë se nuk sheh patriotizëm që institucionet e Kosovës kanë lejuar dhe janë pyetur për një gjë të tillë, dhe se nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

“Ajo është procedurë që janë merr vesh në Bruksel që duhet marrë leje, nuk shoh patriotizëm që Institucionet e kosovës po i japin leje sidomos pas një rasti të tillë” potencoi Mushkolaj.

Mushkolaj shtoi se liderët e vendit nuk është dashur që në një situatë të tillë të vështirë të lejojnë një vizitë të tillë në Kosovë, dhe sipas tij Vuciqi do të sjellë mesazhe që i shkojnë vetëm atij për shtati, raporton lajmi.net.

Sipas Mushkolajt kjo vizitë do të ketë konotacione politike që do të shkojnë në favor të Vuciqit dhe jo në favor të Kosovës, dhe sipas tij kjo është heqje dorë nga institucionet tona për tu marrë me Serbët e Kosovës.

“Vizita do të ketë konotacione politike që do të shkojnë në favor të Vuciqit dhe jo në favor të Kosovës, kjo është një heqje dorë dhe dhënie e drejtes Vuciqit për tu marrë me serbët e Kosovës, pas këtij rasti Kosova po kthehet vite prapa”, shtoi Mushkolaj

Kjo përgjegjësi për tu marrë me serbët e Kosovës sipas Mushkolajt, po i lihet Beogradit.

“Udhëheqësit shtetërorë nuk po tregojnë që me serbët e Kosovës janë të gatshëm të merren vet por po ja lëjnë këtë përgjegjësi Beogradit”, përfundoi Mushkolaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme