Mushkolaj pyet pse u “harrua” rasti i ambasadorit, Martin Berishaj

10:42 | 6 Maj 2022
arbresh.info

Njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj, ka shtruar disa pyetje në rrjete sociale për institucionet e Kosovës.

“A ka raportu ambasadori Martin Berishaj, sipas kërkesës së presidentes? Çka ka raportu? Cili është versioni i tij për skandalin e pretenduar? Pse askush nga institucionet nuk flet më për rastin”, pyet Mushkolaj, pas më shumë se një javë që kur për ambasadorin e Kosovë në Kroaci, në medie u publikuan pretendime rreth disa keqpërdorimeve.

Mediat sllovene publikuan një skandal të madh financiar, ku dyshohet të jetë i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Presidentja, Vjosa Osmani, pati reaguar pas publikimit të këtyre pretendimeve.

“Nuk është konstatuar asnjë organ i drejtësisë, por thjeshtë është shkruar nga një medie, për të cilën ambasadori i Republikës së Kosovës e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore drejtë një gjëje të tillë”, deklaroi Osmani.

Vetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar raportimet e medieve se është i përfshirë në një skandal financiar.

“Nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, pati deklaruar Berishaj.

Së fundi, Parlamenti i Kosovës i ka hapë rrugë hetimeve të pretendimeve të opozitës se gjatë krizës me energji elektrike pati keqpërdorime.

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka pranuar se rrymë është blerë edhe nga kompania GEN që ka pika të saj në disa shtete të Ballkanit, por ka degën kryesore në Slloveni. Krasniqi nuk kishte komentuar rastin e ambasadorit Martin Berishaj, emri i të cilit u përmend në një skandal financiar në Slloveni./arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme