Murtezaj: Mospërfshirja ime në kryesinë e LDK-së ishte e shënjestruar, shpirti rugovian s’e duron këtë

21:39 | 11 Dhjetor 2023
E.H

Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, ka reaguar pas mospërfshirjes së tij në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se e njëjta nuk ishte aksidentale por “e shenjëstruar”.

Murtezaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, e quan sjellje të shëmtuar mospërfshirjen e tij në kryesin e LDK-së duke shtuar se shkelja e normave demokratike nuk ka vend në Kosovë.

“Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar. Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpirti Rugovian nuk e duron këtë. Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë”, shkroi ai.

Murtezaj thekson se do të mbetet një zë që me vendosmëri i thotë mendimet e veta si njeri i lirë.

“Nga përvoja e di që nuk nuk mund t’i japësh dikujt atë çfarë nuk ka kapacitet ta pranojë, e kuptoj dhe kam empati për këtë përplasje të civilizimeve. Por, jam i pakompromis për Kosovën evropiane, ku dinjiteti, liria dhe demokracia janë të vlera humaniste që ju takojnë të gjithëve. Ndërgjegjja ime është humane, qëndron zgjuar, dhe nuk ka forcë a sjellje autokrate e despotike që mund ta shuajë. Mentaliteti im nuk është korruptiv dhe shpirti im nuk është profiter. Nuk ik nga nata, se dua ta bëjë ditë. Unë jam i Kosovës, dhe këtu do të jem deri sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri”, shtoi më tej Murtezaj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme