Murati: T’i vendosnim interesat Kosovës dhe të kombit mbi ato personale e partiake

14:55 | 20 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se bota po ndryshon, ndërkaq Kosova e mbërthyer në kriza të brendshme, për shkak të një klase politike të papërgjegjshme, as nuk po çon kokën t’i shoh këto ndryshime dhe të përfitojë e të punojë në zgjidhjen e problemeve të saj.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se ” Bota po kalon në një periudhë kur ka lëvizje nga pozicionet e politikave tradicionale, të cilat nuk janë të momentit, siç mundohet dikush t’i interpretojë, por shumë më strukturore. Në vend se të shfrytëzohet ky moment për t’i zgjidhur problemet me Serbinë e të shfrytëzohet interesimi amerikan por edhe ai evropian për të arritur marrëveshje me Serbinë, që përmes ripërcaktimit të kufijve do të hapte mundësitë që Kosova të shndërrohej në një shtet me sovranitet të plotë e integrim në organizatat kryesore botërore, dalje nga izolimi e madje edhe mundësi bashkimi me Republikën e Shqipërisë, ne po sillemi si të vetëmjaftueshëm, duke rrezikuar të lëshojmë këtë moment nga duart e të futemi në një qorrsokak të status-quos”.

Postimi i plotë:

Bota rreth nesh po ndryshon, po ne a po e kuptojmë?

Në nivelin global dhe atë rajonal, së paku prej krizës së vitit 2008, kemi lëvizje të rëndësishme gjeo-strategjike. Këto si kurrë më parë janë ndjerë këto vitet e fundit e sidomos këtë vit. SHBA-të kanë ndryshuar disa prej politikave të tyre në Lindjen e Mesme dhe në Azi (njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, njohja e ndërtimeve të vendbanimeve të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, vendimi për tërheqjen e trupave nga Siria, përpjekjet për një marrëveshje me talibanët në Afganistan, me Korenë e Veriut si dhe acarimi me Iranin). Në anën tjetër, Evropa vazhdon të jetë në një krizë të thellë institucionale dhe identiteti. Leximi me kujdes i intervistës së Makronit për The Economist sqaron se veprimet e Francës në kuadër të BE-së sa i përket rajonit tonë (përfshirë këtu edhe dokumentin pesë faqes non-paper për kushtet e reja që duhet të vlejnë për anëtarësim në BE) nuk janë të rastësishme, por pjesë e një përpjekjeje për të ripozicionuar krejtësisht projektin evropian në raport me SHBA-të, Rusinë, e Kinën e duke i dhënë përparësi projektit politik, ushtarak e teknologjik, duke mos e lënë idenë BE-së të vërtitet vetëm rreth tregut të përbashkët si vlerë supreme. Njëkohësisht, kemi ngritjen e së djathtës ekstreme në Evropë e cila po i fuqizon pozitat dhe po dëmton partitë tradicionale të moderuara, si dhe procesin e Brexit-it që po lë dhe do të lë vragë në projektin evropian. Kina po forcohet, Rusia po rikthehet fuqishëm në arenën ndërkombëtare si lojtar me ndikim, duke pasur dorë të fuqishme si aktor edhe në rajonin tonë. Ndërsa ku po mbetemi ne? Kosova e mbërthyer në kriza të brendshme, për shkak të një klase politike të papërgjegjshme, as nuk po çon kokën t’i shoh këto ndryshime dhe të përfitojë e të punojë në zgjidhjen e problemeve të saj. Bota po kalon në një periudhë kur ka lëvizje nga pozicionet e politikave tradicionale, të cilat nuk janë të momentit, siç mundohet dikush t’i interpretojë, por shumë më strukturore. Në vend se të shfrytëzohet ky moment për t’i zgjidhur problemet me Serbinë e të shfrytëzohet interesimi amerikan por edhe ai evropian për të arritur marrëveshje me Serbinë, që përmes ripërcaktimit të kufijve do të hapte mundësitë që Kosova të shndërrohej në një shtet me sovranitet të plotë e integrim në organizatat kryesore botërore, dalje nga izolimi e madje edhe mundësi bashkimi me Republikën e Shqipërisë, ne po sillemi si të vetëmjaftueshëm, duke rrezikuar të lëshojmë këtë moment nga duart e të futemi në një qorrsokak të status-quos. Mosshfrytëzimi i kësaj situate do ta rrezikojë Kosovën me një destabilitet afatgjatë me mundësi shndërrimi në një shtet e shoqëri të izoluar e në konflikt të vazhdueshëm të brendshëm e të jashtëm. Në këtë rast, çmimi që do paguanim si shoqëri për mirëqenien, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit e qeverisjen e mirë do të ishte shumë i lartë. Sot, kur bota po i kthehet asaj që presidenti Makron e quan “gramatika e fuqisë dhe sovranitetit”, ne vazhdojmë të mbesim peng i Pakos së Ahtisaarit, mentalitetit feudal të udhëhequr nga ideja absurde e kosovacentrizmit, copëzimit tonë kombëtar në kohën kur vetëm si shqiptar mund t’i bëjmë ballë sfidave të tjera identitare, luftimit të idesë së bashkimit kombëtar në momentin kur ky edhe mund të realizohet dhe është i vetmi projekt që mbron sigurinë tonë, mirëqenien, balancën e raporteve të forcave në rajon dhe mund t’i jap shtysë një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Ende kemi kohë. Ende kemi kohë përderisa SHBA-të vazhdojnë të pohojnë se një marrëveshje Kosovë-Serbi është interes strategjik i saj si dhe përderisa edhe shtetet kryesore evropiane janë të vetëdijshme për nevojën që përmes një marrëveshjeje Kosovë-Serbi të zbehet ndikimi rus në Ballkan. Por, me këtë sjellje tonë, mund të paguajmë çmim më të lartë sesa do të paguanim nëse do të ishim në krye të detyrës, t’i kuptonim drejt rrethanat ndërkombëtare dhe t’i vendosnim interesat Kosovës dhe të kombit mbi ato personale, ekonomike, klanore, provinciale, e partiake.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme