Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se më çështje diskutimi në publik nuk do të duhej të ishte mungesa e takimeve e Qeverisë së Kosovës me administratën amerikane, por qasja që do të ndjekë Qeveria Kurti në raport me dialogun me Serbinë.
Këtë kohë ai po e quan moment të mirë politik që duhet të kapet nga kryeministri Kurti dhe të zgjidhë problemet e mëdha me Serbinë, megjithatë, Murati thotë se është skeptik për këtë.
“Tani, temë e debatit në shoqërinë tonë, në media e politikë do të duhej të ishte cila do të jetë rruga që kryeministri dhe qeveria do të marrin karshi dialogut me Serbinë. A po futen në rrugën e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara apo kryeministri po do të blejë ende kohë (nëse ka sa i përket dialogut)? Nëse qasja është zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë asociacionin a nënkupton kjo njohje nga Serbia dhe mbi të gjitha një Kosovë funksionale?”, ka shkruar Murati.
Ai thotë se mosfutja në këtë rrugë e çon Kosovën në bisedime të pafundme herë teknike e herë politike, në të cilat Kosova përmes “qasjes konstruktive” do të ngecet në “realizimin e marrëveshjeve të shumta të copëzuara?”.
“Apo mos kryeministri do ta shfrytëzojë këtë moment të mirë politik (si dhe legjitimitet të madh që e ka brenda Kosovës) për ta përmbysur kornizën e bisedimeve, për t’u vendosur në ofensivë dhe duke hequr vellon e populistit profesionist e duke u shndërruar në burrështetas, të kërkojë guximshëm zgjidhjen e problemeve të mëdha me Serbinë e mbi të gjitha atë të veriut të Kosovës dhe të Kosovës Lindore përmes zbatimit të reciprocitetit? Vazhdoj me qenë skeptik se kryeministri do ta ndjekë rrugën e fundit. Të gjitha të tjerat çojnë prapë o në status quo, o në Kosovë edhe më jo funksionale se kjo e sotmja”.
Murati gjithashtu thotë se takimi i djeshëm i dy krerëve kosovarë me Sekretarin amerikan të Shtetit heq nga diskursi i përditshëm çështjen e takimit me zyrtarë amerikanë.
“Takimi i Kryeministrit Kurti (dhe presidentes) me Sekretarin e Shtetit Blinken heq nga rendi i ditës në debatet tona të përditshme se në çfarë niveli protokollar është pritur kryeministri ynë në Uashington. Takimi me Sekretarin e Shtetit është takim jo vetëm dinjitoz por edhe adekuat duke pasur parasysh se Departamenti i Shtetit nga të gjitha strukturat qeveritare të SHBA-ve merret më së shumti me Kosovën në përgjithësi dhe me dialogun në veçanti”. /arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...