Google ADS

Murati: Qeveria do të mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore

18:32 | 12 Shkurt 2024
E.G

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq sot kanë vizituar kryetarin e Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi.

Me anë të një postimi në Facebook, Murati u shpreh se arsye për vizitën ishte lansimi i masës për mbështetjen e punësimit të 2 mijë punëkërkuesve që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut, shkruan Arbresh.info.

“Sot bashkë me kolegun tim, Ministrin Nenad Rasic, ishim për vizitë në Leposaviq dhe takuam Kryetarin e Komunës Lulzim Hetemi, për të parë nga afër mbarëvajtjen e punëve. Arsye për vizitën ishte lansimi i masës për mbështetjen e punësimit të 2,000 punëkërkuesve që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut”, ka shkruar Murati.

Ai tha se të gjitha bizneset ekzistuese, por edhe ato të reja që nisin aktivitetin e tyre në njërën nga katër komunat në veri të vendit, do të mund të përfitojnë nga masa e subvencionimit deri në 70% të pagës bruto për 6 muaj, për secilin punëtor të ri që e punësojnë sipas kritereve të përcaktuara me vendim.

“Në anën tjetër, të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna e që janë të papunë, mund të shkojnë të regjistrohen në Zyrën e Punësimit si punëkërkues dhe në rastin e parë të krijuar, do t’u ofrohet një ofertë pune në njërin nga bizneset e interesuara”, ka shkruar tutje Murati ./Arbresh.info/

Të ngjashme