Murati: Nuk është koha për ta zhbërë, por për t’i dalë ballë Speciales

00:47 | 13 Janar 2018
Trina Galanxhi

Për të parin e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, mbrëmjen e 22 dhjetorit ishte një befasi e pakëndshme, e cila lë përshtypjen e një “shteti palaço”.

“Diçka që ishte bërë me shumë presion të madh, mbase prej atyre që e filluan këtë iniciativë. Është e dhimbshme, sepse na paraqet si shtet joserioz karshi obligimeve ndërkombëtare”, ka thënë Murati, në “Interaktiv” të KTV-së.

Murati ka thënë se Specialja nuk është ndalur kur është dashtë të ndalet.

“Tash duhet t’i dalim ballë, duhet të përballemi edhe me pasojat që sjell ajo. Fatet individuale e të partive mund të tejkalohen, por pasojat do të mbesin te njolla që do t’i bëhet përpjekjeve tona për liri, për të cilën duhet të punojmë që ta heqim. Ne e dimë që lufta jonë ka qenë e pastër”, ka thënë ish-ushtari i UÇK-së.

Murati ka thënë se partia të cilën ai i prinë, Lëvizja për Bashkim, “gjithmonë ka qenë kundër Gjykatës Speciale”.

“Sepse nuk është vetëm njollë, por ishte e padrejtë ndaj luftës tonë të drejtë çlirimtare. Por tash kemi marrë obligime ndërkombëtare. E zhbërja e saj të kthen në një shtet joserioz, mos të them palaço”, ka thënë Murati, përcjell Koha.net.

Për natën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, kur 43 deputetë kishin bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në të cilën synohej të rrëzohej Specialja, Murati ka pasur edhe një koment.

“Krejt ajo u bë pa një debat paraprakë, që të thuhej nëse kanë ndrruar rrethanat, se me ato rrethana të reja duhet të shkojmë në një tjetër drejtim, Por njësoj ashtu siç u bë pa debat, ashtu pa debat edhe u bë përpjekje që të zhbëhet”./Koha.net/

Të ngjashme