Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se ripërcaktimi i kufijve është e vetmja mënyrë që zgjidh problemet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se tri komunat shqiptare në Luginë të Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa ato me shumicë serbe në veri, Serbisë.
“Platforma e Lëvizjes për Bashkim është shumë e qartë. Ne mendojmë se e vetmja zgjidhje e plotë e problemit shqiptaro-serb, në këtë radhë e cila shkon përmes zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë është ripërcaktimi i kufijve. Sipas Lëvizjes për Bashkim ne mendojmë që tri komunat shqiptare në Kosovën lindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale duhet të bashkohen me Kosovën. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për tri komunat me shumicë serbe të cilat kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë kanë të drejtë të bashkohen me asaj”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se marrëveshja për ripërcaktim të kufijve do të nënkuptonte ndryshim të disa prej parimeve të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës, e të cilat Kosovën do ta bënin të pavarur nga dy të tretat e votave të pakicave për ndryshime kushtetuese.
“Kjo marrëveshje që do të rezultonte për ripërcaktimin e kufijve do të nënkuptonte edhe një ndryshim të disa prej parimeve themelore të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga dy të tretat e votave të pakicave për të ndryshuar kushtetutën në këtë radhë të serbëve të cilët e bllokojnë vazhdimisht ndonjë reformë kushtetuese që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga lista serbe. Unë mendoj që vetëm projekti i ripërcaktimi të kufijve e largon Serbinë nga Kosova”, shtoi Murati.
Sipas Muratit, marrëveshja e Washingtonit nuk është e dëmshme për Kosovën, por është e rëndësishme të realizohen projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe ato ekonomike.
Ndërsa, sa i përket liqenit të Ujmanit thotë se do të menaxhohet nga të dyja vendet, mirëpo shumica i takon Kosovës.
“Marrëveshja e Washingtonit nuk është e dëmshme për Kosovën. Rrjedhimisht ajo që është e rëndësishme është nëse një pjesë e asaj marrëveshje realizohet, sidomos projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe projektet e tjera ekonomike. Atëherë nëse ato vërtet do të realizohen sidomos nëse realizohet projekti i hekurudhës që do ta lidhë Kosovën me Durrësin edhe me Nishin, do të ishte e jashtëzakonshme në interesin e popullit shqiptar. Sot deri në 20% të liqenit të Ujmanit është në pjesën e Serbisë. Do të jetë e domosdoshme që të kemi marrëveshje për menaxhim të përbashkët qoftë të mirëmbajtjes së Liqenit. Në marrëveshje flitet për një studim fizibiliteti, pra do të bëhet një studim fizibiliteti edhe nga departamenti i SHBA-së se si mund të shfrytëzohen potencialet e liqenit të Ujmanit nga pjesa e Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai
Ai vlerëson se mini-shengeni nuk është i dëmshëm për Kosovën, ndonëse sipas tij, ende nuk ka një dokument të qartë i cili mund të vlerësohet.
Murati thotë se me një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të forcohet ekonomia e Kosovës.
“Marrëveshjen për mini-shengen edhe pse nuk ka ende një dokument të cilin ne mund ta vlerësojmë ka më shumë disa parime të cilat janë biseduar në takimet ndërmjet presidentëve. Unë nuk e shoh të dëmshme për interesat jetike të Kosovës. Mendoj me një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shumë shpejt të hiqet edhe ai kufiri fizik dhe ta shfrytëzojmë që ne ta forcojmë ekonominë tonë përmes këtij bashkëpunimi”, tha Murati.
Sa i përket dialogut me Serbinë dhe mundësisë për një marrëveshje për njohje reciproke, ai thotë se aktualisht nuk sheh vullnet nga Serbia që ta njoh Kosovën. Madje ai shprehet se as nga BE-ja nuk ka ndonjë presion ndaj Serbisë për ta bërë një gjë të tillë.
“Në këto rrethana nuk shoh vullnet që Serbia ta njoh Kosovën. Ndoshta në asnjë rrethanë nuk do ta njohë Kosovën. Serbia po i shfrytëzon rrethanat ndërkombëtare që ta zvarrisë sa më shumë çështjen e njohjes që të fut në marrëveshje sa më shumë interesat e veta, qoftë përmes zbatimit të Asociacionit dhe unë nuk po shoh asnjë interesim të BE-së që ta detyrojnë Serbinë që ta njoh Kosovën, dhe duke qenë se nuk do të ketë njohje dhe procesi i negociatave shumë shpejt mund të dështojë mendoj që në një të ardhme në tryezën e bisedimeve si opsioni më real do të jetë projekti i ripërcaktimit të kufijve”, u shpreh ai.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur javën e kaluar mbledhjen e përbashkët ku janë nënshkruar edhe disa marrëveshje të reja.
Ai thotë se marrëveshjet e arritura nga mbledhjet e kaluara kanë rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Sipas tij duhet të krijohen mekanizma të përbashkët dhe një këshill bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e cila do të ishte një administratë që merret vetëm me çështjen e bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri.
“Kjo ishte mbledhja e gjashtë ndërmjet dy qeverive dhe kemi një sërë marrëveshjesh të cilat janë nënshkruar dhe kemi një sërë marrëveshjesh të cilat janë realizuar. Mendoj që në esencë këto marrëveshje kanë qenë të dobishme e kanë ngritur në nivel më të lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Bindja ime është që nga ky partneritet strategjik ne duhet të kalojmë në integrimet dhe për të ndodh kjo nuk është vetëm e mjaftueshme që të kemi vetëm dy mbledhjet e qeverive. Unë mendoj që duhet të krijojmë mekanizma të përbashkët dhe të krijojmë një këshill të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri e cila do të ishte një administratë e cila merret vetëm me çështjen e bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri”, shtoi Murati për Ekonomia Online.
Sa i përket presidentit ai tha se kjo çështje i takon partive politike të cilat janë në Kuvendin e Kosovës dhe realisht duhet ta gjejnë një kandidat i cili do të ishte më i përshtatshmi.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit është çështje që i takon partive politike të cilat janë në Kuvendin e Kosovës . Ato duhet të diskutojnë dhe të bëjnë përpjekje që ta gjejnë kandidatin më të përshtatshëm për president. Ne kemi ende një president i cili së paku ka mandat deri në marsin e vitit të ardhshëm. Sigurisht që hija e gjykatës e Dhomave të Specializuara dhe e mundësisë së ngritjes së aktakuzës apo konfirmimit të aktakuzës është aty. Derisa jemi në këtë situatë sigurisht që ai është në detyrë. Ndërsa në anën tjetër i takon partive politike që ta zgjedhin kandidatin e duhur”.
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...
Anisa e ashpër ndaj Gjestit dhe Leos, pasi ky i fundit ia vo...
Kosova dhe Serbia do të ulen sërish për dialog më 17 dhjetor...
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...