Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se para se të bëhet vonë me ndonjë zgjidhje që Kosovën mund ta lërë në këtë jofunksionalitet juridik dhe politik në të cilin gjendet, duhet të shfrytëzohet maksimalisht çfarëdo mundësie për një dialog të mirëfilltë politik me Serbinë.
Sipas tij, zgjidhja e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka rrugë tjetër pos dialogut politik, në të cilin do të shtroheshin çështjet kryesore të pazgjidhura në mes të dy shteteve.
Ky është opinioni i plotë i Muratit:
Dialogu i brendshëm serb për Kosovën: a kemi përgjigje?!
Serbia po e vazhdon lojën me dy karrige, jo vetëm në nivelin e raporteve gjeostrategjike Perëndim-Rusi, por edhe në raport me qasjen për Kosovën. Njëra qasje e saj vazhdon të jetë agresive, qoftë ne arenën ndërkombëtare, qoftë në atë të brendshmen dhe kryesisht përfaqësohet nga Daçiqi dhe Gjuriqi, kurse tjetra më e moderuar që përfaqësohet, jo rastësisht, nga Vuçiqi.
Në arenën ndërkombëtare Serbia, më me intensitet se më parë, po i bën të gjitha përpjekjet për ta zbehur shtetësinë e Kosovës, e sidomos përfaqësimin e saj ndërkombëtar. Si rezultat i kësaj politike, por edhe i rrethanave të tjera ndërkombëtare, Kosova jo vetëm që është larg anëtarësimit në OKB dhe në BE, por deri më tani ka dështuar të anëtarësohet edhe në ato organizma në të cilat edhe proceduralisht i ka pasur gjasat më të mëdha.
Mosanëtarësimi në UNESCO, mosaplikimi në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, për shkak të këtij presioni të koordinuar serbo-rus, janë disa nga dështimet në politikën e jashtme të cilat dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës edhe në planin e brendshëm. Madje, këto ditë Daçiqi ,duke e konsideruar një sukses personal konfuzionin e krijuar për tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Kosovës nga ana e Surinamit, paralajmëroi se nuk do ta ndalë këtë qasje në raport me Kosovën.
Në anën tjetër, Vuçiqi ka kohë që ka filluar të marrë një qëndrim më të matur, madje duke e quajtur atë që ai e ka emërtuar si një “dialog të brendshëm për Kosovën”, i cili do të shpinte drejt një marrëveshjeje historike shqiptaro-serbe, nga e cila do të dilnin fitues të dyja palët. Pa qenë asnjëherë konkret, ai ka bërë përpjekje të çojë mesazhe për shoqërinë serbe, se kthimi i kontrollit mbi të gjithë Kosovën është i pamundshëm, se fitues duhet të jenë të dyja palët dhe se duhet të përgatitemi për kompromise të dhimbshme.
I tërë ky debat iniciohet edhe si një uverturë e përpjekjeve për ndryshimin e kushtetutës serbe, që e parasheh Kosovën pjesë të saj, e që është problematike për finalizimin e negociatave për pranim të Serbisë në BE. Politika serbe, duke përfshirë Vuçiqin, e ka të qartë se beteja për Kosovën është e humbur, andaj deri më tani i ka bërë t ë gjitha përpjekjet që të nxjerrë atë që është e mundshme.
Në planin ndërkombëtar ka qenë agresive në përpjekjet për ta delegjitimuar pavarësinë e Kosovës; në raportet me BE-në kanë bërë përpjekje që të jenë bashkëpunues, duke arritur që në marrëveshjet e Brukselit të nxirret pak më shumë sesa garanton Pakoja e Ahtisaarit për pakicën serbe; ndërsa në raport me serbët e Kosovës, duke e krijuar dhe duke e kontrolluar Listën Serbe, kanë fuqizuar mundësitë që duke përdorur tërë prerogativat kushtetuese të garantuara për serbët, ta bëjë shtetin e Kosovës sa më jofunksional.
Kaosi politik i brendshëm në Kosovë nuk mund të prodhojë politika të qëndrueshme as në relacion ndërkombëtar, as në raport me Serbinë. Të ngecur në konfliktet e brendshme e të vazhdueshme, në zgjedhje vazhdimisht të parakohshme që prodhojnë qeveri të brishta e që mezi krijohen brenda 3 muajsh, Kosova, e sidomos përfaqësuesit politikë shqiptarë, gati se nuk kanë përgjigje për këtë situatë të cilën po e imponon Serbia, por që vjen edhe si produkt i rrethanave ndërkombëtare.
Në planin ndërkombëtar jemi në një defensivë të plotë, ku vendime të njëpasnjëshme janë tërheqja nga aplikimi në UNESCO, në Këshill të Evropës dhe në Interpol. Në anën tjetër, në raport me Serbinë reagimet i kemi si zakonisht ad hoc dhe pa një strategji të qartë. Dialogut të brendshëm serb për Kosovën më shumë po i përgjigjemi me retorikë të politikës së brendshme konfliktuale, sesa me vizion për ta shfrytëzuar këtë moment për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb.
Nisma e presidentit për krijimin e një ekipi të unitetit për bisedime, më shumë se e vonshme, vjen prapë si një propozim i gabuar në hapa. Në vend që fillimisht të propozohet dialogu i brendshëm për një platformë të përbashkët, bisedohet për emra, thuajse dialogu është çështje teknike dhe ekspertize e jo, ashtu siç duhet të jetë, çështje plotësisht politike. Në anën tjetër, një pjesë e opozitës refuzon çfarëdo bashkëpunimi, prapë duke mos u fokusuar tek mungesa e platformës së përbashkët, por tek rezultatet teknike të deritanishme dhe tek rezoluta e parlamentit për bisedimet.
Zgjidhja e problemit shqiptaro-serb, përkatësisht e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka rrugë tjetër pos dialogut politik. Andaj, para se të bëhet vonë me ndonjë zgjidhje që Kosovën mund ta lërë në këtë jofunksionalitet juridik dhe politik në të cilin gjendet, duhet të shfrytëzohet maksimalisht çfarëdo mundësie për një dialog të mirëfilltë politik me Serbinë, në të cilin do të shtroheshin çështjet kryesore të pazgjidhura në mes të dy shteteve.
Para se të vazhdohet me logjikën e deritanishme të dialogut (në të cilin flitet vetëm për Kosovën) i cili do të na linte në një status-quo të brendshme shumë të rrezikshme, do të ishte mirë të ulemi dhe të përcaktojmë se çfarë duhet të shtrohet në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Lëvizja për Bashkim, që në vitin 2010, ka dalë jo vetëm me propozimin për nevojën e një dialogu politik, por edhe ka prezantuar Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe. Si atëherë, edhe sot konsiderojmë se reciprociteti duhet të jetë parimi bazë në të cilin duhet të zhvillohen bisedimet e ardhshme. Dhe ai reciprocitet nënkupton se duhet të flitet jo vetëm për Kosovën dhe për pozitën e serbëve në të, por edhe për Serbinë dhe shqiptarët që jetojnë në tri komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Si Lëvizje për Bashkim kemi konstatuar që atëherë dhe vazhdojmë të jemi të bindur edhe sot, se vetëm zbatimi i plotë i parimit të reciprocitetit për tri komunat me shqiptarë të Kosovës Lindore dhe tri komunat me serbë në veriun e Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani) do të shtronte rrugën për zgjidhjen e problemeve shqiptaro-serbe. Ky reciprocitet nuk nënkupton në këtë moment ripërcaktim të kufijve edhe për shkak të koniunkturave ndërkombëtare, por nënkupton të drejta të barabarta për serbët në veri të Kosovës dhe për shqiptarët në Kosovë n Lindore. Një zgjidhje e tillë do të hapte rrugë në të ardhmen për zgjidhjen e tërësishme dhe të plotë të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Të mos harrojmë se Serbia vetëm duke e hequr Kosovën nga kushtetuta e saj dhe duke u treguar “konstruktive” në dialogun për “normalizimin” e raporteve me Kosovën, pa pasur nevojë ta njohë Kosovën, ia hap vetes dyert për në BE. Ndërsa Kosova, me një dialog që nuk shtron për zgjidhje problemet themelore në mes të dy vendeve, ka rrezik të mbetet jofunksionale dhe një shtet gjithnjë i trazuar, tanimë jo hapur nga Serbia por indirekt nga përfaqësuesit politikë serbë të varur nga Serbia. Vetëm një dialog që do të krijonte kushtet për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, pa privilegjet bllokuese të serbëve, mund ta bëjnë Kosovën një shtet funksional. Përndryshe, nëse ne vazhdojmë me këtë plogështi politike, me këtë mungesë vizioni dhe guximi, më këtë përçarje politike, sigurisht që ka gjasa të mëdha që të na ikë edhe kjo situatë e favorshme për të hapur brenda nesh debatin se si e shohim ne zgjidhjen e raporteve me Serbinë dhe dialogun e ardhshëm me të. Mbetja brenda kornizave të ngushta kushtetuese, juridike apo edhe partiake do të na sjellë rezultate të cilat vështirë se do t’i riparojmë në të ardhmen e afërt.
Në anën tjetër, refuzimi i bisedimeve apo shtrimi i kushteve vështirë të realizueshme nga pala tjetër, do të dërgojë pashmangshmërisht në rezultate të njëjta. Kosova do të mbetet një shtet që gjithnjë do të ketë telashe në funksionalitetin e saj, ndërsa raportet ndëretnike, ndër të tjera, do të vazhdojnë të mbeten problematike edhe për vitet e ardhshme. Për ta tejkaluar këtë situatë dhe për ta shfrytëzuar momentumin e krijuar edhe në Serbi, momentum që diktohet edhe nga nevoja e saj për të qenë pjesë e BE-së, duhet që me guxim, në tryezën e bisedimeve, t’i shtrojmë për zgjidhje çështjet jetike politike në mes të Kosovës e Serbisë, e jo të ngujohemi në bisedime që adresojnà « probleme vetëm të njërës palë, të asaj serbe.
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...