Google ADS

Murati iu përgjigjet Krasniqit e Abdixhikut: Nuk ka hamendësime as paushallitet në përcaktimin e koeficientit

21:24 | 1 Shkurt 2023
E.H

Ministri i Financave, Hekuran Murati, u është përgjigjur kritikave të opozitës të cilët kanë thënë se vlera e koeficientit të pagave është bërë në mënyrë paushalle.

Ai ka thënë se kjo vlerë është përllogaritur me detaje dhe se nuk bëhet fjalë për hamendësime.

Murati i ka quajtur propozime paushalle ato të opozitës.

“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai në rtv dukagjini.

Murati ka dhënë detaje për llogaritjet e Qeverisë së Kosovës për ta vendosur vlerën e koeficientit 105 euro.

“Bëhet fjalë për përcaktimin e vlerës së koeficientit që i ngërthen dy ligje ligjin e buxhetit dhe ligjin e pagave. Ligji i Pagave ka kaluar që dy muaj, aty janë përcaktuar nivelet për secilin pozitë sa është niveli i koeficienteve për secilën pozitë, dikujt i është caktuar 5 dikujt 6 e kështu me radhë”, ka thënë ai.

“Çka na ka mbetur neve është që të marrin nga të gjitha organizatat buxhetore këtë e ka bërë MPB, ka kërkuar klasifikimin e të gjitha pozitave, qoftë komunat qoftë ministritë kanë dorëzuar listat për të tregu sa persona kanë funksion me koeficiente ta zëmë 6 a po 7 e kështu”, ka vijuar Murati.

Tutje ai bëri të ditur se janë grumbulluar listat nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Janë grumbulluar të gjitha listat nga MPB dhe neve si Ministri e Financave na është dorëzuar tërësia e koeficienteve. Tërësia është 480 mijë në gjithë Administratën Publike. Mesatarja i bie 6”, ka thënë ai.

Me koeficientin e ri sipas Muratit, vlera totale e buxhetit për paga shkon në 745.5 milionë euro, kurse shtesat e rritjes arrijnë 12% apo 105.5 milionë euro.

“Vlera totale e buxhetit është 745.5 milionë euro, kurse shtesat përafërsisht janë diku 12% e pagës bazë 105.5 milionë euro. Në vitin e kaluar shpenzimet për paga ka qenë 640 milionë euro. Shpenzimi pa shtesa të pandemisë ka qenë 640 milionë për paga të rregullta”, ka thënë ai.

Pagat me koeficient të ri punëtorët e sektorit publikë do t’i marrin muajin e ardhshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme