Google ADS

Munishi dhe Thaqi vlerësojnë lartë kampionatin dhe Kombëtaren e Kosovës

13:02 | 1 Janar 2020
Arditë Shkodra

Viti 2019 ka pasur ngritje të madhe në kampionat dhe kjo cilësi e mirë e ka përcjellë edhe Kombëtaren e Kosovës në kualifikimet për Euro 2020.
Kështu mendojnë trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi dhe ish-trajneri i disa klubeve elitare, Arsim Thaqi.

Sipas tyre ky vit ka qenë progresiv dhe gara për Superligën e Kosovës ka qenë mjaftë e joshëse.
Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi në një prononcim për portalin arbresh.info tha se janë pesë skuadra në garë për titull të kampionit. Ai ka shtuar se edhe gara për kupën e Kosovës është mjaftë interesante.

“Viti 2019 ka sjell një kampionat shumë interesante, kemi pas dhe akoma kemi pesë kandidatë për titull , po ashtu gara për kupë është shumë interesante, ka pasur rivalitet jashtëzakonisht të madh gjithashtu ka pasur cilësi. Cilësia në Superligën e Kosovës është rrit po ashtu na ka përcjellë një fushatë shumë e mirë e reprezentacionit të Kosovës, me shpresën që përmes Ligës së Kosovës të kualifikohemi”, deklaroi ai.
Tekniku prishtinas është optimist i madh që Kosova mund të kualifikohet në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve pasi lojtarët e përfaqësueses së Kosovës janë në moshë të re.

“Kam shumë shpresë të madh për arsye se futbollistët tonë janë me moshë të re dhe po tregojnë rritje shumë të mirë në kohën e fundit sidomos, Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe presim lojtarët të kthehen nga lëndimet si Arber Zeneli, Hekurdhan Kryeziu, Herlond Shala që më të vërtetë nga kanë munguar gjatë kualifikimeve dhe besoj që kur jemi të kompletuar jemi me kualitativ se kundërshtarët tanë në Ligën e Kombeve”, përfundoi ai.

Ndërkaq, Arsim Thaqi një tjetër trajner i njohur i Kosovës në një prononcim për portalin arbresh.info, tha se kampionati ka qenë mjaftë interesant dhe klubet janë përforcuar me lojtarë nga jashtë.

“Mendoj që kanë qenë një kampionat interesant ndoshta më interesant në këto vitet e fundit me vet faktin që ka pasur shumë ndryshime në ekipe, ka lojtarë që kanë ardhur nga jashtë dhe dallimet në pjesën e tabelës kanë qenë evidente në kuadër të kësaj nëse e fusim një ekip të re siç është Ballkani që brenda dy viteve e ka mbyll sezonin në vendin e parë”, tha ai.
Derisa, Thaqi beson që Kosova do arrijë kualifikimin në Evropianin 2020. Ky i fundit mendon se “Dardanët” kanë bërë një hap shumë të madh përpara.

“Na jemi vet Kosova, jemi trajnerë që duhet të besojmë. Kosova ka pasur paraqitje jashtëzakonisht të mirë në ndeshjet e kaluara, pa marrë parasysh humbjet. Por, me krahasu pranimin e Kosovës edhe përvojën e Kosovës në këtë nivel të garimit, unë mendoj që Kosova ka bërë një hap shumë të madh përpara, kontribut të madh ka dhënë edhe Albert Bunjaku përpara ndërsa trajneri tani mendoj që është shumë adekuat për nivelin e Kosovës”.

Në fund sipas strategëve futbolli i Kosovës është në rrugë të mirë, por se mbetet ende të punohet më shumë në këtë drejtim./arbresh.info/E.Bytyqi

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme