Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, ka lëshuar urdhër për sjellje me dhunë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, tani të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Sasha Mirkoviq.
Urdhër për sjellje me dhunë, është lëshuar gjithashtu edhe ndaj dy dëshmitarëve Nikolla Nojkiq dhe Mirosllav Stoliq.
Një vendim i tillë është marrë pasi që i akuzuari Mirkoviq dhe dëshmitarët Nojkiq e Stoliq, ndonëse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, përmes procesverbalit të seancës së kaluar gjyqësore, të mbajtur më 15 dhjetor 2017, nuk prezantuan në sallën e gjykimit, ku ishte paraparë të vazhdonte gjykimi ndaj ish-kryetarit Mirkoviq.
Kjo është hera e tretë radhazi që dështojnë seancat e parapara për këtë çështje penale, për arsye të ndryshme.
Edhe në seancën e 15 dhjetorit të vitit të kaluar, i akuzuari Mirkoviq ishte sjell me detyrim, pasi kishte munguar në seancën paraprake. Por, edhe seanca e 15 dhjetorit kishte dështuar të mbahej, pasi kishte munguar anëtarja e trupit gjykues, Luljeta Shabani.
Seanca e radhës, ndërkaq pritet të vazhdojë më 23 mars 2018, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës, Sasha Mirkoviq akuzohet se si kryetar i Komunës së Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka kryer mashtrim në detyrë.
Veprën penale, ai po pretendohet se e ka kryer në atë mënyrë që ka nënshkruar fatura të furnizimit me derivate të naftës për Komunën e Kllokotit dhe kompaninë “Euro Tafa” pa qenë faturat e kompletuara dhe dokumentet e kompletuara përcjellëse si, raporti mujor për furnizim, shënimet për datën e furnizimit, sasinë dhe llojin e karburantit, me çka konsiderohet se vlera 20,940.86 euro është keqpërdor nga zyrtarët e komunës edhe për nevoja private.
Ndryshe, kjo nuk është aktakuza e vetme e ngritur kundër tani të akuzuarit Sasha Mirkoviq.
Ndaj tij, po në këtë gjykatë, janë duke u zhvilluar edhe tri procedura të tjera, të cilat po ashtu kanë të bëjnë me vepra penale që lidhen me korrupsionin. /Betimipërdrejtësi
U asfiksuan nga gazi, humbin jetën dy persona në Kamëz
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan