Google ADS

Mungesë e anesteziologëve shkaku i pagave të ulëta| Ministria premton zgjidhje

08:59 | 10 Korrik 2022
A Z

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka mungesë të theksuar të mjekëve anesteziologë.

Mungesën e mjekëve anesteziolog për portalin arbresh.info e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Faik Hoti, zëdhënësi për media në këtë ministri, për arbresh.info thotë se një gjë e tillë po ndodh për shkak të mungesës së mjekëve të kësaj lëmie.

Hoti, po ashtu thotë se kjo mungesë po vjen edhe për shkak se mjekët po e zgjedhin që të punojnë në sektorin privat, për arsye të pagës.

“SHSKUK dhe spitalet, janë mbështetur që të shpallin vende pune për këtë lëmi, por siç u tha, është lëmi ku kuadri nuk është i mjaftueshëm dhe bukur vështire i sigurohen, për shkak se një numër i anesteziologëve duan te punojnë vetëm ne sektorin privat, sigurisht për shkak te pagesave me te mira”, thuhet në përgjigjen e Hotit për arbresh.info.

Ai shton se këtë vit Ministria e Shëndetësisë do të shpallë konkurs, për t’i dhënë prioritet kësaj lëmie, pasi që kuadri i anesteziologjisë është mjaft i kërkuar.

“Në konkursin e fundit të specializimeve ky kuadër ka qenë prioritet që të rritet numri dhe ngjashëm do të veprohet edhe në konkursin që sivjet pritet ta shpalle Ministria e Shëndetësisë, duke i dhënë prioritet kësaj lëmi dhe lëmive te tjera deficitare”, shton Hoti.

Megjithatë, sipas tij, MSH-ja shpresat i ka varur tek kandidatët, që janë në proces.

“Sigurisht situatën mund ta përmirësojë kryerja e specializimit e disa kandidateve që janë në proces dhe inkuadrimi i tyre në shërbime menjëherë. Por gjithsesi, ne konkursin e radhës, do të jepen vende për ketë lëmi me tepër se çdo here”, thotë Hoti.

Se ka mungesë të anesteziologëve në Kosovë, e thotë edhe kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Ai thotë se aktualisht në vendin tonë profesionin e anesteziologëve, janë duke e ushtruar 105 mjek, e që është dashur të jenë së paku 180 mjek specialistë.

“Specifikash Ministria nuk ka se çfarë të bëjë, në treg nuk ka mjek specialistë. Por, duhet të ofrohen kushte më të mira pune, dhe duhet të bëhet ngritja e pagave. Tani profesionin e anesteziologëve, janë duke e ushtruar 105 mjek, ndërsa është dashur të jenë të paktën 180 mjek specialist”, thotë ai.

Ndryshe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi ka pasur ikje nga vendi të mjekëve specialist. Ata viteve të fundit e kanë parë të rrugës që të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian./Xhejlane Haliti /arbresh.info/

 

Të ngjashme