Ndërrimi i terapive si shkak i ndërrimit të mjekëve është duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët, shkruan arbresh.info.
E shkak i gjithë kësaj është mungesa e protokolleve klinike për sëmundjet adekuate.
Teuta (emër i njohur për redaksinë), për arbresh.info, ka shfaqur shqetësimin e saj që ndërrimi i terapive i ka shkaktuar telashe shëndetësore asaj në një ambulantë në Shtime.
“Kam shku tek mjeku për një grip sezonal, mjeku në ambulanten e shtetit më ka përshkruar një terapi ku më është dhënë një injeksion, pas kësaj nuk e kam ndier vetën mirë dhe vendosa të kthehem prapë tek mjeku. Kam has me një mjek tjetër dhe i kam tregu që këtë terapi ma kanë dhënë dhe nuk po ndihem mirë përsëri. Mjeku i dytë tha se terapia që kam marr unë një ditë më parë nuk ishte për mua dhe se do duhej vetëm një infuzion. Pranova ta merrja, por që për të dytën herë gjendja ime u keqësua më shumë dhe mbeta pa zgjedhje”, tha Teuta.
Ajo përsëri ka kërkuar ndihmë në emergjencë rreth orës 03:00 të mëngjesit ku mjeku kujdestar nuk është marr fare me pacienten në fjalë me arsyetimin se ia kanë prishë gjumin.
“Shkova në emergjencë dul mjeku më tha që jam me ni sy qelë njo mshel, dhe ka kërkua nga unë të bëjë analiza. Kësaj radhe nuk mora terapi”, tha ajo.
Arbresh.info ka kontaktuar me Pleurat Sejdiun nga Oda e Mjekëve, dhe sipas tij, kur mjekët ndërrojnë terapinë do duhej që pacientet të lajmëronin rastin dhe të merret masa konkrete ligjore.
“Tek ne nuk kanë mbërri këto lloj ankesa por është normale që ata t’i drejtohen Odës së Mjekëve për këtë çështje. Normal ato janë procedura të cilët duhet me i dorëzua dëshmitë që vërtetojnë një gjë të tillë, por prap nuk mund të them që çdo mjek ta shkruan terapinë e njëjtë, dhe barin të cilin mjeku e jep se kanë të njëjtën substancë, p.sh dikush ta shkruan një “Dikllofen” një tjetër një “Brufen”, që dallojnë në emra. Të gjitha këto janë të rregulluara me ligj dhe jo në detaje”, tha Sejdiu.
Mungesa e protokolleve klinike në Kosovë telashe për dhënien e terapive të sëmundjeve përkatëse
Sipas Sejdiut është fatkeqësia që në Kosovë kemi shqetësime të tilla, ndërkaq nëse mjeku konstaton se bari që përshkruan nuk ka efektin e duhur atëherë kalon në barin tjetër alternativë që ka fuqi vepruese më shumë.
“Fatkeqësisht në Kosovë nuk janë protokollet krejt të aprovume, por nëse flas në cilësinë e profesionistit nëse një bari konstatohet se nuk ka dhënë efektin e pritur atëherë jepet bari tjetër alternativ d.m.th mund të jetë bari që është më i fort se ai me të njëjtën substancë, por fuqinë vepruese e ka më të madhe. Nëse shohim që një antibiotik nuk i jep rezultatet e veta dhe del në antibiogram, apo në të tjera dhe është tjetri që është më efikas atëherë bëhet analiza mikrobiologjike dhe ndërrohet terapia. Nëse e shikoni edhe në përshkrimin e barit, tek efektet e barit thotë qartë se mund të mos jep rezultate dhe pasohet me barna të gjeneratës tjetër që japin rezultate”, tha Sejdiu.
Mungesën e protokolleve klinike për arbresh.info e ka pohuar edhe Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës.
“Realisht kjo tregon për mungesën e protokolleve klinike sepse po t’i kishim këto protokolle, d.m.th secili mjek do të vendoste terapinë e njëjtë për një sëmundje të njëjtë edhe parimisht nuk është shumë kolegiale pa e vetë, me ja ndërrua terapinë një pacienti pa pyet mjekun i cili e ka koordinu atë terapi, për shkak se secili mjek e vendos një terapi, e ka një bindje se ajo terapi është e mirë, dhe kjo pa dyshim shkakton një konfuzion tek pacientët dhe ndikon në sigurinë e pacientit gjatë marrjes së trajtimit shëndetësor”, tha Kodra.
Tutje Kodra tha se ka pas ankesa të llojit të tillë e që sipas tij Oda e Mjekëve do duhej të bënte diçka në këtë drejtim.
“Më herët kemi pas kësi lloj ankesa. Ka ankesa të vazhdueshme dhe kam trajtua ankesa tipike të kësaj natyre. Realisht Oda e Mjekëve ish dashtë me u marr me këta mjek, pasi që duhet me pa se cila çështje është profesionale cila jo, por këtë çështje do ta zgjidhte protokolli klinik. Se po te kishte protokoll klinik secili mjek do të ishte i obliguar me ndjek atë lloj terapie të cilët e përshkruan protokolli për sëmundje të caktuara”, tha Kodra.
Ministria e Shëndetësisë zvarritë procesin e protokolleve klinike shkak mungesa e barnave
Për këtë çështje Oda e Mjekëve drejtoji “gishtin” nga Ministria e Shëndetësisë e cila tash e sa vite këtë çështje e ka kthyer në politike.
“Sa i përket protokolleve ne kemi ba proces qe sa kohë që të rregullohet sepse në shumicën e shteteve odat e mjekëve protokollet që janë puro dhe profesionale, por tek ne Ministria e Shëndetësisë e konsideron që është pjesë e punës se saj që normal nuk është, dhe janë politike dhe nuk janë çështje profesionale, edhe ka ngecë kështu”, tha Sejdiu.
Ndryshe Kodra nga ShPK, tha se janë disa udhërrëfyes që tregojnë se çfarë terapie duhet të vendoset nga mjekët por që jo për të gjitha sëmundjet, se si shoqatë vazhdimisht kanë kërkuar nga
Ministria që të bëhen këto protokolle por që sipas tij kjo bie ndesh me ta si shkak i mungesës së shumë barnave të cilat për ministrinë janë të papërballueshme.
“Janë disa udhërrëfyes për disa sëmundje siç është sëmundja e diabetit është një lloj udhërrëfyesi po për të tjerat nuk ka ende. Ministria nuk ka avancu sa duhet në këtë drejtim pasi për secilën sëmundje duhet të ketë protokoll të veçantë të trajtimit që ta bëjë më unike secilin trajtim të pacientit. Ne si shoqatë në vazhdimësi kemi kërku që me u ba protokollet klinike por ato vetëm Ministria e Shëndetësisë mundet me i ba askush tjetër e ku ka vite që merret me këtë çështje po produktivitet ka shumë pak dhe shumë pak udhërrëfyes të cilët janë miratuar. Dhe, problemi qëndron në atë se kur bahen protokollet është një problem shtesë mandej, secili protokoll e përshkruan barin që duhet me apliku mjeku për atë sëmundje. Problem tjetër është që Ministria e
Shëndetësisë nuk ka barna mandej me mbështet protokollin që vetë e miratua prandaj edhe e zvarritin kështu”, deklaroi Kodra.
Ndërsa Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë për arbresh.info, tha se si mjek ndërrimin e terapisë nuk e praktikon dhe se në rast se ka veprime të tilla të ndërmerren masa.
“Ndërrimi i terapisë nga ndonjë mjek në tjetrin nuk është mirë personalisht nuk e preferoj, mirëpo për arsye komerciale nëse ndonjë mjekë ia shkruan atëherë pacientët kanë ku mund të ankohen. Mu personalisht kjo dukuri shumë rrallë më ndodh me i marr këto veprime, por nëse e shoh që në një periudhë të caktuar ajo ka marr ndonjë terapi e cila s’ka qenë efikase normalisht provojmë terapinë tjetër ndoshta të njëjtës “familje” që me pas efikasitet më shpejt, por me ja ndërrua vetëm se ka qenë tek një mjek tjetër këtë nuk e rekomandojë”, deklaroi Syla.
Ndryshe edhe probleme të tilla në sektorin e shëndetësisë ka pasur madje janë hapur edhe procese gjyqësore, por pa një epilog përfundimtarë./arbresh.info/
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...