Mungesa e numrave bllokon Kuvendin

08:18 | 19 Shtator 2018
Arbresh.info

“Lufta” politike mes dy blloqeve të partive në Kuvendin e Kosovës po ndikon që të zvarritet miratimi i ligjeve të rëndësishme për vendin.

Deputetë dhe njohës të çështjeve politike konsiderojnë që nëse vazhdon kjo situatë do të vijmë deri te defunksionalizimi i Kuvendit, shkruan sot Gazeta “Zëri.info”.

Në Kuvendin e Kosovës gjatë periudhës janar – korrik, në sesionin pranveror, 20 nga 27 seancat e mbajtura janë ndërprerë për mungesë kuorumi.

Sipas të dhënave të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), deputetët nga opozita kanë bojkotuar 29% të votimeve në Kuvend, kurse partitë në pushtet kanë bojkotuar 19% të votimeve.

Ndërsa sipas grupeve parlamentare del që Lista Serbe është Grupi Parlamentar që kryeson listën për mospjesëmarrje në votim me 36%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje me 35%, respektivisht 25% të bojkotimit të votimeve.

Ndërkaq, me të filluar sesioni vjeshtor Kuvendi i Kosovës është ballafaquar përsëri me të njëjtën situatë, me ç’rast ky institucion nuk ka arritur të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar punën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme